Putin përballë kritikave të ashpra të udhëheqësve botërorë

Presidenti amerikan Barack Obama tha se Rusia do të mbetet e izoluar nga komunitetin ndërkombëtar në se presidenti Vladimir Putin nuk spraps ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë.

Mes udhëheqësve të tjerë që mbajtën qëndrim të ashpër ndaj zotit Putin, ishin kryeministri kanadez Stephen Harper dhe ai australian Tony Abbott. Presidenti rus u largua sot nga Australia më parë nga ç’ishte parashikuar. 

“Në se vazhdon në këtë rrugë që është tani, shkelja e ligjit ndërkombëtar, dhënia e armëve të rënda separatistëve në Ukrainë, shkelja e marrëveshjes që ra dakort vetëm disa javë më parë në Minsk që do të kishte ulur konfliktin dhe vrasjet në zonat e diskutuara dhe do të na kishte hapur shtegun për një zgjidhje diplomatike, atëherë izolimi që po provon Rusia tani do të vazhdojë.”  

 

Duke folur sot në Brisbane të Australisë, në fund të takimit të nivelit të lartë ekonomik të G-20 zoti Obama tha se sanksionet e tanishme kundër Rusisë po funksionojnë.   

 

Zoti Putin u largua nga Australia sot paradite, më parë nga ç’ishte planifikuar. Para se të largohej, ai sugjeroi se një zgjidhje e konfliktit ishte e arritshme, por shfaqi dyshime për bindjet e tij.

“Situata sot në Ukrainë sipas mendimit tim ka shans të mire për zgjidhje, pavarësisht se mund të tingëlloj e çuditshme, por në të dyja anët janë krijuar struktura që mund të përballojnë më mirë detyrat me të cilat përballen, duke patur parasysh në radhë të parë interesat e njerëzve që jetojnë në territorin e gjithë Ukrainës, përfshi juglindjen.” 

 

Ndërkohë presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se situate në lindje të Ukrainës duhet të zgjidhet përmes dialogut me separatistët e mbështetur nga Rusia. Megjithatë zoti Poroshenko ka thënë se ushtria ukrainase është e gatshme dhe e aftë të luftojë në se armëpushimi shkelet tërësisht.

 

Armëpushimi i shpallur në shtator është dhunuar vazhdimisht qysh nga dita që u nënshkrua.

SHKARKO APP