Putin vrau edhe shtypin e lirë të Rusisë

Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, stafi i kanalit të fundit televiziv të pavarur rus, ”TV Rain” u mbyll. Drejtoresha e Përgjithshme dhe bashkëthemeluesja, Natalia Sindeeva, njoftoi mbylljen e televizionit. ”Ne kemi nevojë për forcë, për të kuptuar se si të punojmë më tej. Shpresojmë shumë të kthehemi në transmetim dhe të vazhdojmë punën tonë”.

Stacioni ishte zyrtarisht i bllokuar nga rregullatorët e Rusisë, por edhe për pak kohë arriti të transmetonte informacionet e veta përmes YouTube. TV Rain ka qenë prej vitesh në qendër të Kremlinit. Në vitin 2014, kreu një anketë në internet duke pyetur shikuesit nëse gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria sovjetike duhet ta kishte lënë Leningradin t’i dorëzohej gjermanëve, në mënyrë që të shmangte afërsisht një milion vdekje, që u shkaktuan nga bllokada naziste. Prindërit e Putinit i mbijetuan kësaj bllokade dhe qeveria e tij u zemërua që një demonstrim kaq i shenjtë trimërie, po vihej në dyshim dhe kjo sigurisht i kushtoi rëndë televizionit të pavarur.

TV Rain për shumë kohë arriti të transmetonte lajmet, por vazhdimisht zemëronte Kremlinin me mbulimin e protestave antiqeveritare dhe aktiviteteve të opozitarit, Alexey Navalny. Në verën e vitit 2021, televizioni u shpall zyrtarisht “agjent i huaj” dhe iu kërkua të përfshinte një njoftim në çdo transmetim ose raport në uebsajt: “Ky raport (material) krijohet dhe (ose) shpërndahet nga një masmedia e huaj, duke kryer funksionet e një agjenti të huaj dhe (ose) një person juridik rus që kryen funksionet e një agjenti të huaj.”

Në javën kritike të pushtimit të Ukrainës, Rusia po vepronte edhe me censurimin e vendit të vet. Pjesë e kësaj censure u bë dhe TV Rain që në një mesazh në Telegram raportoi: “Në zyrën e Dozhdit kanë mbërritur dy policë, njëri prej tyre me rroba civile, duke lënë dy “paralajmërime” nga prokuroria, si dhe duke informuar kanalin se është kundër ligjit që mediat të përhapin material ekstremist”.

Përmendja e fjalës “luftë”, në pak kohë, u bë shkelje e një ligji të ri, i cili ndalon mediat që veprojnë në Rusi të përdorin fjalët “luftë”, “sulm” ose “pushtim”. Këto fjalë, kurrsesi nuk mund të përdoren si përshkrim i vendimit të Vladimir Putin, për të lëshuar forcat e tij kundër Ukrainës. Në vend të kësaj, ata duhet të përdorin frazën e përzgjedhur nga pushteti: “Operacion special ushtarak”. Shprehja “Jo luftës!” është bërë, së fundmi, thirrja e rusëve, të cilët rrezikojnë arrestimin gjatë protestave në rrugët e qyteteve anembanë vendit.

Transmetimi i fundit i TV Rain përfundoi duke thënë “Jo luftës!”, ndërsa të gjithë u larguan nga seti, me dhimbjen dhe frikën që iu lexohej lehtësisht në sy. Pasi u larguan nga studioja, kanali filloi transmetimin e filmit bardhezi të baletit të Çajkovskit “Liqeni i Mjellmave”, ashtu siç bëri televizioni sovjetik gjatë grushtit të shtetit të vitit 1991, kundër Presidentit Mikhail Gorbachev.

“Eksodi” i gazetarëve

Shumë nga gazetarët kryesorë të Rusisë filluan të largoheshin nga Rusia që pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë, në vitin 2014. Ata u vendosën kryesisht në vendet baltike, veçanërisht në Letoni, si dhe në Poloni e Gjeorgji. Tani, me luftën në Ukrainë, kur qeveria po miraton ligje drakoniane të censurës, largimi i gazetarëve dhe jo vetëm, po merr formën e një eksodi.

Gazetari i TV Rain, Mikhail Fishman, u largua nga Rusia menjëherë sapo nisi pushtimi i Ukrainës. “Pashë transmetimin e fundit të kanalit tonë. Ishte e trishtë! E dija se kishte marrë fund, kur mbyllën faqen e internetit dhe në të njëjtën kohë mbyllën transmetimin e Echo Moscow. Ky është një moment shumë ndryshe, Rusia ka ndryshuar dhe Putini po ashtu është shumë ndryshe nga ai që ishte në vitin 2014. Mendoj se është e rrezikshme të jesh në Moskë tani”, deklaroi Fisherman. I pyetur nga CNN nëse kishte frikë për jetën e tij, ai përgjigjet: “Jo! Por kisha frikë. Kisha frikë se mund të më arrestonin në çdo moment. Kjo nuk është diçka që do ta mendoja në 2014-n, por tani, me siguri që mund të ndodhë”.

Gazeta “Novaya Gazeta”, një zë liberal, është ende në internet, por redaktori i saj, Dmitry Muratov – i cili ishte bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqen, vitin e kaluar – ka vendosur të mos raportojë për konfliktin në Ukrainë.

Bllokimi i çdo kanali informues dhe komunikues

Zërat kundërshtues mund të përhapen në disa faqe të mediave sociale dhe aplikacione të ndryshme, por bllokimi i Facebook, i cili është bërë një burim alternativ informimi për shumë të rinj rusë, do të jetë një goditje e madhe. Të rinjtë rusë kanë braktisur televizionin, i cili tani kontrollohet totalisht nga qeveria dhe është i mbushur me propagandë pro luftës. Ata informohen kryesisht në internet, duke marrë lajme nga kanale të ndryshme online, që përfshijnë edhe blogerët.

Vlogeri Yuri Dud, kanali i të cilit në YouTube ka më shumë se 9.8 milionë abonentë, është marrë me temën e pushtimit të Ukrainës dhe nuk është shmangur nga përdorimi i fjalës “luftë”, në diskutimin e tij të fundit me romancierin më të njohur bashkëkohor rus, Boris Akunin. Diskutime të tilla do të kishin qenë të vështira, por të lejueshme përpara pushtimit, ndërsa tani janë të paimagjinueshme. Vetëm disa ditë pasi Putin nisi pushtimin e tij në Ukrainë, rregullatori federal i internetit në Rusi bllokoi Twitter-in dhe aplikacionet e Apple dhe Google.

Uebsajtet ruse të BBC-së, filialit Deutsche Welle të Gjermanisë, si dhe disa faqe interneti të financuara nga SHBA-ja u bllokuan gjithashtu. Në të njëjtën ditë, Parlamenti rus miratoi një ligj që e shpalli të paligjshme përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë ruse, me shkelje të dënueshme deri në 15 vjet burg. Gazetari Fishman ende po përpiqet të kuptojë se si bota e tij u transformua në vetëm një javë. /A2cnn/

SHKARKO APP