Racizmi, videoskandali në Kanada, policia dhunon amerikanoindianin pasi i rezistoi arrestimit

Kryeministri i Kanadasë ka kërkuar hetim të pavarur për akuzat e diskriminimit pas një incidenti që ka përfshirë policinë e vendit. Dhunimi i një pjesëtari të komunitetit indian vjen teksa policia në shumë vende po denoncohet për trajtim të personave mbi baza racore.

Videoja e dhunimit të një indiani të Amerikës nga policia ka skandalizuar publikun kanadez, në kohën kur bota dhe vendi zhurmon me kritikat kundër racizmit dhe dhunës së tepruar në radhët e policisë.

Viktima, Alan Adam, shefi i një krahine etnike në Kanada, u ndalua më 10 mars të këtij viti pasi drejtonte automjetin me dokumentacion të vjetër.

Pas shkëmbimit verbal disaminutësh me oficerët, personi nisi të shfaqë rezistencë ndaj urdhrit të arrestimit.

Kundërshtimet dhe tensionimi i situatës përshkallëzuan shpejt kur një prej oficerëve të policisë lokale u lëshua me vrull mbi trupin e amerikanoindianit, duke ushtruar edhe dhunë fizike.

Xhastin Trudo, kryeministri i vendit i quajti pamjet shokuese, kërkoi transparencë rreth ngjarjes dhe pranoi se vendi ka probleme me diskriminimin racor.

“Mendoj se kushdo që e ka parë videon ngre pyetje serioze për atë çka ndodhi, pse u veprua ashtu dhe pse me aq forcë. E dimë që ky nuk është rast i izoluar. Shumë kanadezë me ngjyrë dhe banorë autoktonë nuk ndjehen të sigurt. Rasti nxjerr në dritë, pa asnjë dyshim, diskriminimin sistematik që ekziston brenda institucioneve, policisë tonë.”

Pamjet e incidentit dhe të pasojave të dhunimit fizik të amerikanoindianit iu dorëzuan të enjten gjykatës dhe u shpërndanë sakaq nga mediet vendëse.

Në Kanada jetojnë rreth 1,7 milionë banorë të popullsive autoktone indiane, shumë prej të cilëve jetojnë në komunitete të rrezikuara nga krimi, sëmundjet dhe varfëria, e që shpesh akuzojnë policinë për keqtrajtim në baza racore.

Ndërkaq, incidenti i fundit vjen në kohën kur kudo nëpër qytetet kanadeze njerëzit marshojnë në solidaritet me afroamerikanët kundër racizmit dhe dhunës policore, nisur nga vdekja e 46-vjeçarit Xhorxh Floid më 25 maj gjatë arrestimit nga policia e Mineapolisit në SHBA.

Të premten e kaluar vetë kryeministri kanadez u ul në gjunjë në nder të komunitetit me ngjyrë.

WARNING: Full video of Chief Allan Adam's arrest

SHKARKO APP