Radio Europa e Lirë: Amerika synon paqen globale përmes Bordit të ri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lansuar Bordin e Paqes, një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, duke përsëritur bindjen e tij se një marrëveshje e paqes për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës “do të arrihet shumë shpejt”. Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por udhëheqësi amerikan tha se ai do të punojë që të sigurojë paqe në mbarë botën.

“Ne do të punojmë me shumë të tjerë, përfshirë OKB-në”, tha Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Davos të Zvicrës më 22 janar, duke iu referuar me gjasë shqetësimeve se Bordi do të synojë të zëvendësojë OKB-së, institucion që Trump e ka kritikuar shpesh. Në ceremoni morën pjesë udhëheqës nga Kosova, Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.

Shtete të tjera kanë sinjalizuar gatishmëri për t’u bashkuar, përfshirë Bjellorusinë, Izraelin dhe Vietnamin. Asnjë nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përveç SHBA-së, nuk ishin të pranishëm, ndonëse të gjithë ishin ftuar që të bashkohen. Rusia ka deklaruar se është e gatshme tarifën prej 1 miliard dollarësh për anëtarësim të përhershëm duke përdorur asetet jashtë vendit që janë të ngrira për shkak të pushtimit të Ukrainës që Moska nisi më 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, iu referua kësaj oferte gjatë takimit me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, në Moskë më 22 janar.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ndoshta keni dëgjuar se ne jemi të gatshëm të disbursojmë 1 miliard dollarë për trupin e ri, Bordin e Paqes, mbi të gjitha për të mbështetur popullin palestinez, duke i orientuar fondet drejt rindërtimit të Rripit të Gazës dhe zgjidhjes së problemeve të Palestinës”, tha Putin. “Siç kam thënë, besoj se kjo është mjaft e mundur të bëhet duke përdorur fondet e bllokuara në SHBA nën administratën e mëparshme”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Trump nuk e ka komentuar propozimin e Putinit. Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Yvette Cooper, tha më 22 janar se roli i mundshëm i Putinit në këtë Bord do të ishte problematik. ”Ne kemi po ashtu shqetësime lidhur me fatin që presidenti Putin do të jetë pjesë e diçkaje që flet për paqe, kur ende nuk kemi parë asnjë tregues nga Putini se ka përkushtim për paqe në Ukrainë”, tha ajo. Edhe Ukraina është ftuar që t’i bashkohet Bordit, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu është shprehur se pjesëmarrja ruse është pengesë.

“Është ende e vështirë për mua që ta imagjinoj se si ne dhe Rusia mund të jemi së bashku në një këshill apo një tjetër”, tha ai më 20 janar. Ai shtoi se prania e aleates së Rusisë, Bjellorusisë, po ashtu përbën problem. Zelensky takohet më 22 janar me Trumpin për diskutime të mëtejme rreth bisedimeve të paqes, që kanë ngecur. Në ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, pritet të udhëtojnë drejt Moskës për bisedime me Putinin./REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?