Refuzojnë të respektojnë rregullat e karantinimit, Koreja e Jugut dëbon të huajt

Koreja e Jugut u ka mohuar hyrjen tetë shtetasve të huaj pasi refuzuan të zbatojnë kërkesat e rrepta të karantinës, të paraqitura këtë javë për luftën kundër të infeksioneve koronavirus, pas rritjes së numrit të vizitorëve që janë kapur duke thyer rregullat e izolimit.

Vizitorët, nga gjashtë vende, u kthyen pas, pasi nuk pranuan të izolohen për dy javë, sipas ministrisë së Drejtësisë të vendit. Raportet e mediave thanë se pasagjerët ishin informuar për rregullat përpara se të hipnin në avionët e tyre.

Rregulli, i cili hyri në fuqi të mërkurën, kërkon që të gjithë ata që vijnë nga jashtë përfshirë koreanojugorët, të karantinohen në shtëpi ose në objektet e përcaktuara nga qeveria për 14 ditë.

Ata që bëjnë vizita afatshkurtra duhet të qëndrojnë në objektet e përcaktuara nga qeveria, sipas ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies, dhe duhet të paguajnë rreth 70 euro në ditë gjatë gjithë karantinës së tyre. Vizitorët të cilëve u lejohet të karantinojnë në shtëpi duhet të instalojnë një aplikacion smartphone që u lejon autoriteteve të ndjekin lëvizjet e tyre në kohë reale.

Sipas të dhënave të qeverisë, 35% e rasteve të infeksioneve të konfirmuara rishtas në Korenë e Jugut gjatë dy javëve të fundit ishin njerëz që kishin mbërritur nga jashtë, njoftoi agjensia e lajmeve “Yonhap”. Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha që njerëzit që shkelën rregullat e karantinës do t’i nënshtroheshin “masave të forta ligjore”.

Autoritetet po mendojnë të ndërmarrin veprime ligjore kundër një shtetasi britanik që jetonte në qytetin Suwon, i cili dyshohet se theu rregullat e vetë-karantinës pasi u kthye nga një udhëtim në Tajlandë muajin e kaluar. Ai rezultoi pozitiv për Covid-19, por ka vizituar qytete të tjera, ka luajtur golf dhe ra në kontakt me më shumë se 20 njerëz, sipas këshillit të qytetit Suwon. Mediat e Koresë së Jugut kanë raportuar incidente të ngjashme që përfshijnë një polak, i cili ishte porositur të izolohej pasi shoku i tij u testua pozitiv, dhe një student gjerman në qytetin Busan që kishte mbërritur nga SHBA përmes Japonisë.  Në vend që të izolohej, ai kishte shkuar në plazh, kishte përdorur metronë dhe kishte luajtur basketboll me miqtë. Ai vazhdoi të kalonte kohë jashtë, edhe pasi zhvilloi një kollë dhe temperaturë.

SHKARKO APP