Regjistrohen 37 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut, të dielën, janë regjistruar edhe 37 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, shifër kjo pothuajse e njëjtë me ato të ditëve të kaluara. Numri më i madh i të prekurve sërish është regjistruar në Shkup, gjithsej 12 raste, në Kumanovë 8, në Tetovë 7, Strugë 4 dhe nga 2 raste në Prilep, Ohër dhe Shtip.
Numri i të infektuarve në Shkup më i lartë është në lagjet e banuara me popullatë shqiptare në Saraj, Çair, Gazi Babë dhe Saraj. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 11 persona të shëruar, ndërsa të dielën, nuk janë regjistruar raste të vdekjeve, për herë të parë në dhjetë ditët e fundit.
Sipas raportit, deri më tani, nga 1,978 të infektuar me koronavirus, 113 kanë vdekur, 443 janë ende aktiv ndërsa 1,422 janë shëruar.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në 24 orët e fundit, 59 persona nuk e kanë respektuar ndalimin për lëvizje dhe 32 prej tyre janë shoqëruar në polici, ndërsa kundër të tjerëve do të ngriten procedura kundërvajtëse, shkruan Rel.
Të dielën, nga ora 11.00 ka hyrë në fuqi ndalimi i plotë i lëvizjes, që do të zgjasë deri të martën në orën 05.00. Drejtuesit e institucioneve kanë bërë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse, por ndërkohë nuk ka pasur asnjë qëndrim nga ana e tyre lidhur me një prononcim të kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, i cili pas faljes së Fitër Bajramit në një nga xhamitë e Shkupit, e shpalli të “vdekur” sëmundjen Covid-19.
“Nga sot sëmundjen COVID-19 e shpalli të vdekur. Zoti është me ne, dhe kur Zoti është me ne, jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Rexhepi. Në Maqedoninë e Veriut ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme dhe sipas ligjeve në fuqi sanksionohet çdo veprim i kujtdo qoftë që është në kundërshtim me rregullat shëndetësore në mbrojtje të popullatës.