Rendi Botëror i Joe Biden
Nga Shlomo Ben-Ami, Project Syndicate
Në më pak se 4 vjet, presidenti amerikan në ikje Donald Trump ka arritur atë që historikisht e kishin bërë vetëm luftërat shkatërruese:ri-formatimin e rendit botëror. Me izolacionizmin e tij, autoritarizmin e dëshiruar dhe sjelljen e tij tekanjoze, Trump goditi me gëzim institucionet ndërkombëtare dhe organizatat multilaterale që paraardhësit e tij kishin ndërtuar nga hiri i Luftës së Dytë Botërore dhe i ruanin që prej asaj kohe.
Po tani çfarë do të ndodhë?Shumë analistë shpresojnë që kur presidenti i zgjedhur Joe Biden të marrë detyrën, rregullat ndërkombëtare liberale mund të shpëtohen, dhe madje të ripërtërihen. Sigurisht që kjo gjë do të ishte e dëshirueshme. Por për fat të keq, kjo është një shpresë jorealiste.
Një rend botëror pas Trumpit, duket se ka të bëjë më shumë me rikthimin në konkurrencën midis blloqeve të mëdha të vitit 1945, sesa me euforinë liberale të pas Luftës së Ftohtë. Së pari, administrata Biden do të konsumohet jo pak nga detyrat e vështira të shërimit të plagëve në vend të shkaktuara nga Trump, si dhe korrigjimin e të metave kritike të Amerikës, të nxjerra në pah nga pandemia.
Rimëkëmbja e SHBA-së nga presidenca më përçarëse në historinë e saj, nuk do të jetë as e shpejtë dhe as pa dhimbje. Reformimi i Amerikës, është një parakusht për rivendosjen e kapacitetit të saj për udhëheqjen e botës. Edhe nëse administrata Biden do të kishte kapacitete të pafundme, gjërat nuk do të ktheheshin saktësisht si më parë.
Statuskuoja e dikurshme lindi nga euforia e pas Luftës së Ftohtë, e gjallëruar nga besimi se demokracia liberale perëndimore kishte arritur një fitore përfundimtare mbi pjesën tjetër, dhe se bota kishte arritur sipas Francis Fukuyama “fundin e historinë”.
Në vitet 1990 dhe 2000, kur Shtetet e Bashkuara ishin fuqia ekonomike, ushtarake dhe diplomatike e pakonkurrueshme e botës. Por, në botën e sotme shumë-polare që po ndryshon me shpejtësi, ajo nuk është më e tillë. Kjo gjë ka qenë e vërtetë prej më shumë se një dekade, prandaj SHBA-ja po tërhiqej nga lidershipi global shumë kohë para se Trumpi të bëhej president.
Megjithëse izolacionizmi i Trump, portretizohet shpesh si një anomali, ai reflekton një shembull tipik të mendësisë amerikane që ka ekzistuar që në fillimet e këtij shteti. Sikur nëndetëset gjermane të mos kishin sulmuar anijet tregtare amerikane në vitin 1917, SHBA-ja mund të kishte qëndruar larg Luftës së Parë Botërore.
Ngjashëm, SHBA hyri në Luftën e Dytë Botërore,vetëm kur Japonia sulmoi Pearl Harbor në dhjetorin e vitit 1941. Dhe pas luftës, përpjekjet e Uashingtonit për të ruajtur paqen (përmes mos dërgimit të trupave ushtarake), dhe për të risjellë zhvillimin në Evropë (përmes Planit Marshall) u nxitën nga frika e ekspansionit sovjetik, dhe jo nga ndonjë ndjenjë e detyrës morale.
Ishte gjithashtu në interesin e Amerikës që paraardhësi i Trump, Barack Obama, në administratën e të cilit Biden shërbeu si zëvendëspresidenti, dhe madje edhe George W. Bush para tij, ndërmorën hapa për të zvogëluar përmasën hegjemonie të politikës së jashtme amerikane.
Ashtu si Trump, edhe Obama edhe Bush shprehën zhgënjimin për ndarjen e padrejtë të barrës nga aleatët e Amerikës në NATO. Tërheqja e SHBA-së nga hegjemonia, pasqyron historinë që Biden s’mund t’a zhbëjë:humbjen e besueshmërisë së Amerikës si rezultat i luftërave të saj të gjata, të kushtueshme dhe jo përfundimtare në Lindjen e Mesme, dhe krizës financiare globale të vitit 2008, e cila nxorri në pah dobësitë e globalizimit dhe mangësitë e ortodoksisë ekonomike neo-liberale.
Larg përmbushjes së premtimit për një zhvillim të përbashkët, u bë e qartë se tregu i lirë i dekadave të fundit, kishte lehtësuar shfaqjen e pabarazive dhe rënien e shtresës së mesme. Kombinimi i luftërave të pambarimta dhe i pabarazisë ekonomike në rritje, nxiti reagimin nacionalist që e çoi Trumpin drejt fitores në vitin 2016.
Të njëjtat zhgënjime u reflektuan në votimin pro Brexit në Britani,qershorin e po atij viti, protestat e Jelekëve të Verdhë në Francë në vitin 2018, dhe madje edhe kriza e Covid-19.
Një pandemi, mund të dukej si një shans i shkëlqyer për bashkëpunim.
E megjithatë, ajo po shoqërohet me mbylljen e kufijve dhe konkurrencën për furnizimet me pajisje shëndetësore dhe për dozat e vaksinave të pritshme, për të mos përmendur kufizimet në liritë civile dhe zgjerimin e aftësive të mbikëqyrjes së shtetit mbi qytetarët, përfshirë dhe vendet demokratike.
Pra, pikërisht kur kemi më shumë nevojë për bashkëpunim global, sistemi ynë i thyer shumëpalësh, na ka çuar sërish në gjirin e shtetit kombëtar. Pra, bota duket se po kthehet në një rend Vestfalian, ku sovraniteti mbizotëron mbi rregullat ndërkombëtare. Dhe qasja e Trump “Amerika e Para” i përshtatet mirë një rendi të tillë.
Dhe ndërsa Kina shpall bashkëpunimin ndërkombëtar në disa fusha, multilateralizmi është një koncept krejtësisht i huaj për të. Fuqitë e tjera të mëdha nacionaliste (si Brazili, India, Rusia dhe Turqia), dhe ato më të vogla në Evropën Lindore (Hungaria dhe Polonia), po lëvizin në të njëjtën terren jo-liberal.
Administrata Biden duhet të aspirojë që t’i udhëheqë demokracitë e botës në konkurrencën e tyre me një bllok autoritar në rritje, ndërsa të mbështesë institucionet dhe strukturat multilaterale që janë më thelbësore për paqen globale. Në të njëjtën kohë, ajo duhet t’i trajtojë aleancat e Amerikës më shumë si një ndërmarrje kolektive, të cilat SHBA-ja i udhëheq në një mënyrë ideale pa i dominuar.
Nga ana e aleatëve, ky ndryshim tashmë ka filluar, me udhëheqësit evropianë, sidomos presidentin francez Emmanuel Macron, që po e thekson gjithnjë e më shumë nevojën që evropianët të marrin në duar garantimin e sigurisë së tyre. Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me një Bashkim Evropian të fuqizuar, për të frenuar sjellje revizioniste të Rusisë në kufijtë e NATO-s, dhe t’i japë fund luftës hibride të Moskës ndaj demokracive perëndimore.
*Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i Jashtëm i Izraelit, aktualisht zv/president i Qendrës Ndërkombëtare të Paqes në Toledo. Ai është autor i librit “Shenjat e luftës, plagët e paqes:Tragjedia izraelito-arabe”.