Represioni i shteteve autoritare nuk njeh kufij
Në pamje të parë, një vrasje në Stamboll, një rrëmbim në Dubai, apo një dëbim nga Austria mund të duken si ngjarje të shkëputura dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Gjithsesi, të gjitha këto përfshihen në një model shqetësues të sjelljes së regjimeve autoritare që përdorin dhunën, frikësimin dhe teknologji për të heshtur zërat kundër edhe jashtë vendit.
Siç rezulton nga një raport i fundit nga qendra e studimit Freedom House, “represioni transnacional”është bërë akoma më shumë i përhapur. Raporti vë në dukje se që nga viti 2014, të paktën 31 shtete kanë sulmuar fizikisht shtetasit e tyre që jetojnë në vende të huaja. Ndër regjimet më të këqija në këtë aspekt janë Kina, Rusia dhe Ruanda.
Vetëm Kina është përgjegjëse për 214 nga 608 sulmet e raportuara gjithsej. Miliona njerëz të tjerë frikësohen përmes kërcënimeve, mbikëqyrjes dixhitale dhe fushatave të shpifjeve ndaj tyre. Regjimet ndryshojnë disi në mënyrën se si i zgjedhin shënjestrat e tyre.
Kina persekuton një larmi të gjerë viktimash:pakicat fetare dhe etnike si ujgurët, disidentët politikë, aktivistët e të drejtave civile, gazetarët dhe fëmijët e zyrtarëve të vjetër të Partisë Komuniste. Ndërkohë Rusia ka si objektiv politikanë shumë të shquar dhe ish-anëtarë të regjimit, të cilët mund të zbulojnë sekretet e presidentit Vladimir Putin.
Zakonisht, Kremlini nuk i përndjek qytetarët e zakonshëm rusë jashtë vendit. Ndërkohë këtë gjë e bën regjimi çeçen. Çeçenët që kanë emigruar në Evropën Perëndimore spiunohen rregullisht, kërcënohen dhe nganjëherë edhe vriten.
Irani dhe Arabia Saudite synojnë emigrantët e tyre më të shquar. Turqia gjuan Gulenistët, pasuesit e grupit të Fetullah Gulen të akuzuar nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan për një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016.
Sulmet fizike, si atentatet, sulmet, arrestimet apo dëbimet e paligjshme, janë metoda më e drejtpërdrejtë për të goditur armiqtë jashtë vendit. Sipas Freedom House, rastet janë më të shumta sesa ka qenë e mundur të regjistrohen.
Vrasjet flagrante, si ajo e gazetarit saudit dhe kolumnistit të “The Washington Post” Jamal Khashogi në konsullatën e vendit të tij në Stamboll, janë shumë të rralla. Dëbimet e paligjshme dhe ekstradimet me forcë, taktikat e preferuara të Iranit dhe Turqisë, janë më të fshehta.
Disidentët mund të kthehen me forcë në vendin e tyre, të torturohen, dhe ndonjëherë edhe të vriten larg syve kritikë të të huajve. Kapja e njerëzve në territorin e huaj mund të jetë e vështirë, prandaj shumë vende u drejtohen fuqive të huaja miqësore, ose madje bëjnë thirrje për marrëveshje zyrtare ndërkombëtare.
Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, një pakt sigurie midis Kinës, Indisë, Rusisë dhe 5 “super fansave“ aziatikë, ka një listë të zezë për disidentët. Arabia Saudite e përdor Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, për të mbajtur nën kontroll emigrantët e pabesë.
Demokracitë mund të jenë pa dashje bashkëpunëtorë të tyre. Në marsin e vitit 2020, Austria pranoi kërkesën për dëbimin e aktivistin Hizbullo Shovalizoda dhe rikthimin në vendin e tij Taxhikistan. Më vonë, Gjykata e Lartë në Austrie anuloi ekstradimin e tij, por Shovalizoda po vuan tani një dënim 20-vjeçar me burg nën akuzat e ekstremizmit.
Regjimet autoritare kanë manipuluar prej kohësh me “listën e kuqe” të Interpolit, policisë ndërkombëtare, për të futur në kurth kundërshtarët e tyre (Rusia ka lëshuar40 për qind të kërkesave totale për arrestime, në pritje të ekstradimeve). Dhe “lufta kundër terrorizmit” e SHBA-së, u ofroi regjimeve autokratike një model për ekstradimet,po ashtu edhe një etiketë politike për ata që donin të përndiqnin:në 58 për qind të viktimave të identifikuara nga Freedom House, akuzat ishin për terrorizëm.
Qeveritë mund t’ua vështirësojnë jetën disidentëve në mënyra edhe më delikate. Një ndër taktikat më të zakonshme është sekuestrimi i dokumenteve të udhëtimit, mohimi i shërbimeve konsullore, dhe kërcënimet ndaj të afërmve që qëndrojnë në vendin e tyre. Për shembull, në një përpjekje për të mbyllur faqen e internetit të grupit minoritar Ahmadi në Shtetet e Bashkuara, Pakistani u kujtoi atyre se Ahmadit që mbeten ende në vend mund të akuzohen për blasfemi për shkak se e kanë etiketuar veten si myslimanë.
Dhe meqë ata mund të kenë të afërm në Pakistan, ku blasfemia dënohet me vdekje, ky është një kërcënim shumë i fortë. Falë teknologjisë, shtetet autoritare e kanë më të lehtë të kryejnë aktet represive nga distanca. Interneti dhe rrjetet sociale, të cilat fillimisht lidhën dhe forcuan disidentët, tani mund të bëjnë që ata të bien në një kurth, siç shpjegohet nga studiuesi Marcus Michaelsen, ekspert mbi politikat autoritare.
Një pikë kthete ishte Pranvera Arabe 10 vjet më parë. Sot, shtetet mund të gjurmojnë lëvizjet e çdokujt që ka një smartphone apo laptop mijëra km larg, përmes përdorimit të softwer-it të mbikëqyrjes dhe malware-it për t’i monitoruar dhe përndjekur ata.
Disa madje kanë “qasje të paligjshme” në platformat sociale. Arabia Saudite pagoi nën dorë një programues saudit në Twitter, për t’i kaluar informacionet mbi vendndodhjen e disa përdoruesve problematikë të Twitter. Kina besohet se e ushtron kontrollin e saj përmes WeChat, një shpëtimtar i vërtetë për kinezët që jetojnë jashtë vendit.
Këto teknologji e bëjnë më të lehtë, jo vetëm gjetjen e vendndodhjes ss njerëzve, por edhe kërcënimin e tyre apo akoma më keq sesa kaq. Ndërkohë, teknologjia i bën regjimet represive më të vetëdijshme ndaj kritikave të disidentëve që ndodhen larg.
Dikur ata nuk e kishin idenë se çfarë thoshte diaspora për tiranët e vendit të tyre. Tani mund të monitorojnë mediat sociale, dhe të dëgjojnë çdo fjalë të pa kriptuar. Në këtë mënyrë, emigrantët paraqiten si një kërcënim serioz për regjimet shtypëse, ndaj e ndiejnë më fort nevojën për t’i persekutuar ata.
Teknologjia dhe taktikat e shtypjes ekstraterritoriale, kanë gjithashtu avantazhin e të qenit të lira për ata që i përdorin. “Një numër shtetesh në rritje, po e kuptojnë se përdorimi i tyre është i lehtë dhe mjaft i lirë”- thotë Gerasimos Tsourapas i Universitetit Birmingham.
Ruanda, një vend i vogël dhe shumë i varfër në Afrikë, është një shembull ekzemplar.
Ajo ka vendosur t’u mbyllë gojën të gjithë atyre që e sfidojnë imazhin e saj si një “oaz zhvillimi” në Afrikë, duke goditur të gjithë ata që vënë në dyshim versionin e saj të historisë së errët të vendit.
Vitin e kaluar Paul Rusesabagina, ish-menaxheri i hotelit, heroizmi i të cilit në shpëtimin e shumë njerëzve të komunitetit etnik Tutsi gjatë gjenocidit, u rrëfye në filmin e famshëm Hotel Ruanda, u rrëmbye në Dubai dhe u rikthye në atdheun e tij, ku u akuzua për terrorizëm.
Shumë njerëz dyshojnë se krimi i tij i vërtetë, ishte kundërshtimi i hapur ndaj presidentit autokrat të Ruandës Paul Kagame. Ashtu si Kina, edhe Ruanda synon të kontrollojë qytetarët e saj jashtë shtetit përmes spyware, një ushtrie njerëzish të mediave sociale, dhe një rrjeti kërcënues të ambasadave dhe organizatave të mërgimtarëve.
Anëtarët më të rëndësishëm të regjimit që dezertojnë, janë ata që duhet të kenë më shumë frikë. Për shembull, një ish-shef i shërbimit sekret u mbyt në një dhomë hoteli në Afrikën e Jugut. Por sipas Freedom House, “të gjithë qytetarët e Ruandës, janë të rrezikuar nga shtypja transnacionale”.
Shtete autoritare që përndjekin mërgimtarët e tyre, shpëtojnë pa asnjë pasojë pasi shpesh demokracitë zgjedhin të kthejnë kokën nga ana tjetër. Në disa raste, shpjegon Tsourapas, duke pranuar kërkesat e ekstradimit të Interpolit dhe “listat e kuqe”, apo duke e zgjeruar përkufizimin e terrorizmit, ata janë bërë madje bashkëpunëtorë.
Represioni transnacionale nuk është ndonjë dukuri e re:Lev Trotsky ndodhej në Meksiko Siti, më shumë se 10 mijë km larg Moskës, kur Stalini e vrau atë me një çekiç. E reja sot qëndron tek thjeshtësia me të cilën është e mundur të spiunosh disidentët nga larg.
Kjo, së bashku me ngritjen globale të regjimeve autoritare, dhe zhgënjimin e administratës së mëparshme amerikane në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ka lejuar një numër në rritje despotësh që të mbjellin terror në të gjithë botën. Siç e pohon Freedom House, për t’i penguar ata do të jetë e nevojshme të riafirmohen rregulloret ndërkombëtare,dhe të ndëshkohen kriminelët më të këqij.
/Përktheu: Abcnews.al