Republikanët-Trumpit: Mos nxit dhunën
Republikanët e zemëruar në shtetin e Xhorxhias i bënë thirrje presidentit të ndalojë nxitjen e dhunës, në të kundër do të mbajë përgjegjësi të plotë. Në këtë shtet ka filluar rinumërimi i dytë me kërkesën e ekipit të Trumpit. Nga ana tjetër, prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha se deri më tani Departamenti i Drejtësisë nuk ka gjetur prova për manipulimin e zgjedhjeve.
Një zyrtar i zgjedhjeve i shtetit të Georgia-s në ShBA thotë se presidenti Donald Trump do të mbajë përgjegjësi për çdo akt dhune që vjen nga pretendimet e tij të pabazuara për manipulimin e zgjedhjeve. Me një deklaratë të ashpër, zyrtari i zgjedhjeve, republikani Gabriel Sterling, tha se “akuzat kanë shkuar shumë larg! Ato duhet të ndalojnë!” tha ai.
Në këtë shtet presidenti i zgjedhur Joe Biden u shpall fitues me një diferencë të ngushtë nga zoti Trump.
Duke folur me zemërim në një konferencë për shtypin në Atlanta, zoti Sterling, i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e republikanëve përfshirë ato të presidentit.
Ai tha se një kontraktor 20-vjeçar në kontenë Gwinnett për sistemin e numërimit Dominion, është kërcënuar në bazë të teorive të pabazuara konspirative.
Një zëdhënës i fushatës së presidentit Tim Murtaugh tha se duhet të sigurohet “që të gjitha votat e ligjshme të numërohen”. “Asnjëri nuk duhet të përfshihet në akte kërcënimi ose dhune dhe nëse diçka e tillë ndodh, ne e dënojmë.”
Gjithashtu Prokurori i Përgjithshëm William Barr, një aleat i ngushtë i zotit Trump, tha se deri më tani Departamenti i Drejtësisë nuk ka gjetur prova për manipulimin e zgjedhjeve.
Deri tani presidenti në detyrë Donald Trump nuk e ka pranuar humbjen.