Rikthimi i pro-rusëve dhe pro-serbëve në Malin e Zi, Zëri i Ameriksë: Rrezik për shtetësinë e vendit dhe raportet me fqinjët
Analistët dhe njohësit e mirë të situatës politike në Malin e Zi, mendojnë se zhvillimet e fundit politike mund ta rrezikojnë shtetësinë dhe pavarësinë e vendit, por edhe të shkaktojë raporte jo të mira me shtetet fqinje. Në këtë kuadër ata vlerësojnë se Mali i Zi po rrezikon procesin e integrimit dhe politikën e përbashkët të sigurisë së Bashkimit Evropian. Veprimet e fundit të qeverisë malazeze kanë rritur shqetësimin në opinion për të ardhmen e Malit të Zi dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian.
Edhe pse në qershor të këtij viti Mali i Zi mori vlerësimin pozitiv për zbatimin e ligjit, analistët e shohin me dyshim riorganizimin e qeverisë me përfaqësuesë pro-rusë dhe pro-serb.
Analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Malin e Zi, Ismet Kallaba mendon se qeveria e riorganizuar do ta rrezikojë shtetësinë dhe pavarësinë e Malit të Zi. “Ajo që paraqet problemin kryesor ka të bëjë me shtetësinë dhe pavarësinë e Malit të Zi. Unë mendoj se kjo qeveri do të thellojë edhe më tej rrezikun ndaj shtetësisë së Malit të Zi duke pasur parasysh se tani zyrtarisht kemi partitë pro-serbe, të cilat janë përfshirë në qeverinë e Malit të Zi. Këto parti dihet që janë jo vetëm afër Serbisë, por janë të ndikuara edhe nga Rusia dhe në të ardhmen mendoj që do të përbëjnë rrezik”, tha zoti Kallaba.
Analisti dhe ish-kryeredaktori i disa mediaeve të pavarura malazeze, Xhevdet Pepiq, riorganizimin e qeverisë e sheh si një kompromis mes forcave politike për ta forcuar dhe mbrojtur pushtetin e tyre. “Riorganizimi i qeverisë nuk është asgjë tjetër vetëm përpjekja për forcimin dhe mbrojtjen e pushtetit përmes kompromiseve të forcave politike në Mal të Zi, të cilët në këtë mënyrë rrezikojnë rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha zoti Pepiq.
Zoti Kallaba, vë në dukje se qasja e qeverisë nuk është serioze dhe e përgjegjshme për proceset e integrimeve evroatlantike, pasi, sipas tij, nuk mund të jeshë në të njëjtën kohë edhe me Rusinë edhe me integrimet evroatlantike.
“Unë mendoj se paraqet problem në rrugën drejt integrimeve evropiane sepse nuk mund të thuash gojarisht se jemi për Bashkimin Evropian dhe për integrime evroatlantike, por nuk mund të jeshë në të njëjtën kohë edhe me Rusinë edhe me integrimet evroatlantike”, tha analisti Kallaba. Zoti Pepiq mendon se Mali i Zi po largohet nga politika e përbashkët e sigurisë së Bashkimit Evropian dhe se po nxitë raporte jo të mira me shtetet fqinje.
“Kroacia e sotme nuk ka asgjë të përbashkët me pushtetet e kaluara, prandaj edhe reagimi i tyre ndaj Podgoricës ishte i ashpër duke shpallur persona të “padëshirueshëm” disa zyrtarë të lartë malazezë. Mali i Zi me veprime jo diplomatike po i rrezikon marrëdhëniet edhe me fqinjët tjerë në rajon, gjë që e largon nga politika e përbashkët e sigurisë së Bashkimit Evropian”, tha analisti Pepiq. /VOA/