Rindizet rivaliteti ShBA-Kinë, Trump paralajmëron masa ndaj Pekinit prej situatës me Covid-19
Shtetet e Bashkuara pritet javën e ardhshme të vendosin a do i ashpërsojnë masat ekonomike ndaj Kinës prej mënyrës si e ka menaxhuar situatën apo pse nuk po i përmbahet marrëveshjes tregtare.
Pandemia ka rindezur edhe një herë rivalitetin mes dy superfuqive botërore, Amerikës dhe Kinës.
Pas akuzave të vazhdueshme se Kina nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me koronavirusin e ri në hapat e parë, nuk është treguar transparente apo e përhapi vetë sëmundjen, javën që vjen presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se do të shqyrtojë vijimin e marrëveshjes tregtare që u arrit me Pekinin fundivitin e kaluar.
Shtëpia e Bardhë madje ka kërcënuar se mund të rinisë luftën tarifore kundër produkteve kineze nëse Kina nuk i përmbahet akordit për blerjen e qindra miliardë dollarëve produkte bujqësore e shërbime.
Për Stefën Perin, ekspert që prej vitesh lehtëson arritjen e marrëveshjeje tregtare mes Kinës dhe Perëndimit, sulmet ndaj Pekinit janë një taktikë e përsëritur e Uashingtonit para fushatave zgjedhore.
“Bill Klinton ishte shumë armiqësor ndaj Kinës para zgjedhjeve, njësoj edhe Xhorxh Bush, por të dy ndryshuan pozicion kur u zgjodhën presidentë, kur u përballën me realitetin e ri dhe jo më me çështjen e votave. Trump-i has të njëjtin problem, i duhet të fitojë një palë zgjedhje gjatë një situate ekonomike tejet të përkeqësuar, dhe Kina është objektivi më i thjeshtë.”
Sipas ekspertit anglez, Pekini përdoret shpesh si kokë turku nga Uashingtoni pasi ky i fundit i druhet potencialit që rezervon ekonomia më e madhe aziatike.
Nga pandemia e fundit, të dyja vendet kanë dalë me pasoja, Kina me një tkurrje ekonomike prej 6,8 për qind në tremujorin e parë të vitit, ndërsa Amerika, përkatësisht minus 4,8 për qind nga viti në vit.
Shifrat e papunësisë, ndërkaq, rezultojnë veçanërisht negative për SHBA-në duke ndalur në 14,7 për qind javën e kaluar apo me rritje 33 milionë vende pune më pak nga faza para pandemisë.
Në ndarjet sipas shkollimit dhe përkatësisë racore, pandemia Covid-19 tregon se shkollimi mbetet një faktor i rëndësishëm për mbajtjen e vendit të punës në ShBA, përderisa papunësia për amerikanët më shkollë të mesme rezultoi deri dy herë më e lartë sesa për ata me arsimim universitar.
Papunësia ishte gjithashtu më e lartë për hispanikët dhe afroamerikanët sesa për popullsinë e bardhë.
Në Kinë, me një popullsi gati katër herë e gjysmë më të lartë, shifrat jozyrtare tregojnë se bilanci i të papunëve pas pandemisë së koronavirusit mund të ketë prekur nivelin e 80 milionë personave.