Rivalja e Putin: Qëllimi im të bashkoj njerëzit që janë kundër politikave të tij
Një analiste e njohur e zhvillimeve politike ruse i është bashkuar garës për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në mars të vitit tjetër në Rusi, duke u bërë kështu një rivale e presidentit aktual Vladimir Putin. 37-vjeçarja Ksenia Sobchak bëri të ditura planet e saj përmes një videoje në You Tube.
Sobchak shprehet se synimi i saj është që të bashkojë ata njerëz të cilët kundërshtojnë politikat e Vladimir Putin, një kandidaturë sipas saj kundër establishmentit aktual rus, por shumë qytetarë rusë janë të mendimit se ajo mbështetet nga Kremlini ndërsa shumë të tjerë janë të mendimit se në këtë garë ajo po hyn vetëm për publicitet.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass, 64 për qind e të anketuarve nuk kanë një opinion pozitiv për pjesëmarrjen e saj në garë përballë Putin. 37-vjeçarja, e cila është vajza e ish-kryebashkiakut të Shën Petërsburgut, një nga këshilltarët kryesorë të Putin është një nga figurat më të njohura në Rusi.
Sipas Agjencisë Tass, rreth 98 për qind e popullit rus e ka ndjekur në televizion kundërshtaren e Putin, por rreth 70 për qind e të anketuarve nuk shikojnë perspektivë politike tek ajo ndërsa vetëm 6 për qind e tyre shprehen se ajo mund të ketë një shans të mirë për t’u zgjedhur.
KOHA JONË SONDAZH

