Roli sekret i kompanisë McKinsey në krizën e refugjatëve në Europë
Në vitin 2016 dhe 2017, gjiganti amerikan i shërbimeve të konsulencës, McKinsey, ishte në qendër të përpjekjeve në Europë për të përshpejtuar përpunimin e kërkesave për azil në ishujt e mbipopulluar grekë, si edhe për të shpëtuar një marrëveshje polemike me Turqinë, duke ngritur shqetësime për nënkontraktimin e shërbimeve publike.
Nga Apostolis Fotiadis, Luděk Stavinoha
Gjuha e përdorur ishte më shumë gjuhë biznesi sesa ajo e një krize humanitare – premtime për “strategji të synuara”, “maksimizim produktiviteti” dhe një “proces azili të thjeshtuar dhe efikas”.
Por në vitin 2016 kjo ishte pikërisht ajo që burrat dhe gratë e “McKinsey&Company” po i ofronin burokratëve të Bashkimit Europian që përpiqeshin të vinin në lëvizje një marrëveshje me Turqinë për të frenuar fluksin e azilkërkuesve në brigjet e kontinentit.
Në mars të atij viti, BE-ja kishte rënë dakord t’i paguante Turqisë gjashtë miliardë euro, nëse do të merrte përsëri mbrapsht azilkërkuesit që kishin mbërritur në Greqi – shumë prej tyre përpiqeshin t’i largoheshin luftimeve në Siri, Irak dhe Afganistan – dhe nëse ndalonte të tjerët që përpiqeshin të kalonin kufijtë e saj.
Marrëveshja – për të cilën grupet e të drejtave të njeriut thanë se rrezikonte shumë të drejtën për të kërkuar strehim – ishte tepër kontroverse, por po ashtu është edhe sasia e panjohur e ndikimit të McKinsey për vënien në zbatim të saj, si edhe deri në ç’pikë shkuan disa organe të BE-së për ta fshehur atë rol.
Sipas gjetjeve të këtij investigimi, muaj të tërë punë “pro bono” në terren nga McKinsey patën ndikim, ndonjëherë tekstualisht, te nivelet më të larta të politikëbërjes së BE-së lidhur me mënyrën se si ta bënin marrëveshjen të funksiononte në terren dhe kjo solli një kontratë konsulence – e dhënë direkt, pa konkurs – me vlerë pothuajse një milion euro për të ndihmuar në vënien në zbatim të së njëjtës politikë.
Mbikëqyrësi i brendshëm i bllokut për çështjen e prokurimeve më vonë e konsideroi kontratën “të parregullt”.
Tashmë ka pikëpyetje në lidhje me kontributin që pati McKinsey në vitin 2015 në përpjekjet gjermane për të përshpejtuar qarkullimin e vet të kërkesave për azil, gjë e cila shkaktoi shqetësime lidhur me të drejtat që u mohohen atyre që aplikojnë.
Ky investigim, bazuar në dokumente të mbledhura që nga nëntori i vitit 2017, hedh një dritë të re mbi masën në të cilën konsulentët privatë formësuan mënyrën sesi Europa e trajtoi krizën në terren dhe se si burokratët u përpoqën ta mbanin të fshehtë atë rol.
“Nëse disa kompani zhvillojnë programe të cilat më pas shndërrohen në vendime politike, kjo është një çështje politike shqetësuese që duhet të ekzaminohet me kujdes”, tha deputeti gjerman Daniel Freund, një anëtar i komitetit të buxhetit të Parlamentit Europian dhe një ish-Shef i Avokatisë për Integritet në BE në Transparency International.
“Sidomos nëse të njëjtave kompani më pas u janë dhënë kontrata duke mos ndjekur procedurat e duhura.”
Marrëveshja tepër e rëndësishme për të dështuar
Marrëveshja e marsit 2016 ishte kulmi i një thrilleri epik gjeopolitik të luajtur në Bruksel, Ankara dhe një sërë kryeqytetesh europiane pasi më shumë se 850,000 njerëz – kryesisht sirianë, irakianë dhe afganë – u nisën të kalonin Egjeun me anije dhe varka të vogla nga Turqia drejt Greqisë një vit më parë.
Turqia, e cila ka pritur rreth 3.5 milionë refugjatë nga lufta nëntëvjeçare në Sirinë fqinje, u angazhua të merrte përsëri të gjithë azilkërkuesit e parregullt që udhëtuan nëpër territorin e saj në këmbim të miliarda eurove ndihmë, liberalizimit të vizave me BE-në për qytetarët turq dhe vazhdimit të negociatave për pranimin e Turqisë në bllok. Ajo gjithashtu parashikoi se për çdo sirian që rikthehej në Turqi nga Greqia, BE-ja do të merrte një refugjat në mënyrë të ligjshme.
BE-ja e përshëndeti atë si një arritje, por grupet e të drejtave të njeriut thanë se ai vendoste një precedent të rrezikshëm, duke u mbështetur në premisën se Turqia është një “vend i tretë i sigurt”, tek i cili azilkërkuesit mund të kthehen, pavarësisht një sërë të drejtash që ajo ia mohon të huajve që kërkojnë mbrojtje.
Marrëveshja ndihmoi në uljen e numrit të personave që kalonin Egjeun, por shumë shpejt u bë e qartë që pjesët e tjera nuk po jepnin fryte. Kryesorja ishte një procedurë e përshpejtuar kufitare për trajtimin e kërkesave për azil brenda 15 ditësh, përfshirë edhe apelimin. Kjo nuk po funksiononte, ndërsa kufizimet e reja të lëvizjes nënkuptonin se azilkërkuesit kishin ngecur në ishujt grekë.
Por për BE-në, marrëveshja ishte shumë e rëndësishme dhe nuk mund të prishej.
“Udhëzimet nga Komisioni Europian, dhe ata pas tij, ishin që Greqia duhej të vinte plotësisht në zbatim marrëveshjen BE-Turqi, pavarësisht argumenteve ligjore apo procedurale që mund të ngrije”, tha Marianna Tzeferakou, avokate që ishte pjesë e e një sfide ligjore për nocionin se Turqia është një vend i sigurt për të kërkuar strehim.
“Dikush dha një urdhër që kjo marrëveshje do të fillojë të vihet në zbatim. Ambiguiteti dhe arbitrazhi rregullator çuan në një kolaps të garancive procedurale. Ishte një vendim politik dhe nuk mund të lejohej të dështonte.”
Këtu hyn McKinsey.
Dalin planet e veprimit
Të freskët nga këshillimi i Gjermanisë mbi mënyrën se si të përshpejtonte përpunimin e kërkesave për azil, konsulentët e kompanisë ishin tashmë në terren duke bërë hulumtime në Greqi në verën e vitit 2016, sipas dy burimeve që punonin me shërbimin grek të azilit, GAS, në atë kohë, por të cilët nuk dëshiruan të përmendeshin me emër.
Dokumentet e para nga BIRN tregojnë se kompania e konsulencës ishte tashmë në “diskutime fillestare” me një organ të BE-së të quajtur “Shërbimi Mbështetës për Reformën Strukturore”, SRSS, i cili ndihmon vendet anëtare në hartimin dhe zbatimin e reformave strukturore dhe në atë kohë drejtohej nga holandezi Maarten Verwey. Verwey ishte njëkohësisht koordinator i BE-së për marrëveshjen BE-Turqi dhe tani është drejtori i përgjithshëm i BE-së për çështje ekonomike dhe financiare, edhe pse ai mbetet gjithashtu drejtori në detyrë i SRSS
I pyetur për detaje nga këto “diskutime”, Verwey u përgjigj se Komisioni Europian – krahu ekzekutiv i BE-së – “nuk mban asnjë dokument tjetër” në lidhje me çështjen.
Megjithatë, deri në shtator 2016, McKinsey kishte një propozim pro bono në tryezë për mënyrën sesi mund të ndihmonte, të titulluar “Mbështetja e Komisionit Europian nëpërmjet menaxhimit të integruar të refugjatëve”. Verwey e aprovoi atë në tetor.
Procesverbalet e mbledhjeve të bordit drejtues të Zyrës Europiane për Mbështetjen e Azilit, EASO – agjencia e BE-së për azilin – tregojnë se McKinsey ishte ngarkuar nga Komisioni që “të analizonte situatën në ishujt grekë dhe të hartonte një plan veprimi që do të sillte një eliminim “deri në prill të vitit 2017 të pjesës së mbetur të çështjeve që kanë lidhje me azilin”.
Një zëdhënës i Komisionit tha për BIRN: “McKinsey doli vullnetar të punonte falas për të përmirësuar funksionimin e sistemit grek të azilit dhe pritjes.
Gjatë 12 javëve të ardhshme, sipas dokumenteve të tjera të redaktuara, McKinsey ka punuar me të gjithë aktorët kryesorë të përfshirë – SRSS, EASO, agjencinë kufitare të BE-së Frontex si dhe autoritetet greke.
Në takimet dy-javore të palëve të interesit, McKinsey identifikoi “pengesat” në procesin e azilit dhe filloi të përmblidhte një seri masash për të reduktuar sasinë e çështjeve të prapambetura, disa prej të cilave tashmë ishin duke u testuar në një “mini-pilot” në ishullin grek të Kiosit.
Në një takim të parë në mes të tetorit, konsulentët e kompanisë McKinsey u thanë të pranishmëve se “nivelet e përpunimit” të çështjeve të azilit nga EASO dhe shërbimi grek për azilin, si dhe nga organet e apelit, do të duhej të rriteshin ndjeshëm.
Deri në dhjetor, “plani i veprimit” i McKinsey ishte gati, duke përfshirë “strategji dhe rekomandime të synuara” për secilin aktor të përfshirë.
Në të njëjtin muaj, më 8 dhjetor, Verwey publikoi Planin e Përbashkët të Veprimit të BE-së për vënien në zbatim të marrëveshjes BE-Turqi, e cila u miratua nga krerët e qeverive të BE-së më 15 dhjetor.
Në të nuk përmendej ndonjë përfshirje e McKinsey dhe kur u pyet për rolin e kompanisë, Komisioni tha për BIRN se plani ishte “një dokument i përpunuar së bashku midis Komisionit dhe autoriteteve greke”.
Megjithatë, thellë në Raportin Vjetor të EASO për vitin 2017 është një referencë për miratimin e Këshillit Europian të “planit të veprimit të konsulencës” për të pastruar sasinë e mbetur të çështjeve të azilit.
Në fakt, ngjashmëritë midis planit të McKinsey dhe Planit të Përbashkët të Veprimit të BE-së janë të çuditshme, sidomos përsa i takon të rritjes së aftësisë së mbajtjes së azilkërkuesve në ishuj, “segmentimit” të çështjeve, rritjes së numrit të punëtorëve dhe përkthyesve të EASO dhe GAS, dhe oficerëve të shoqërimit të Frontex, kufizimit të numrit të hapave të apelit në procesin e azilit dhe ndryshimit të mënyrës së procesimit të ankesave dhe hartimi i opinioneve.
Në disa raste, ato janë thuajse identike. Për shembull, McKinsey rekomandon futjen e “ndarjes gjithëpërfshirëse sipas llojeve të çështjeve për të rritur shpejtësinë dhe cilësinë”, kurse Plani i Përbashkët i Veprimit i BE-së bën thirrje për “ndarje sipas kategorive të çështjeve për të rritur shpejtësinë dhe cilësinë”.
Pjesa më e madhe e asaj që bëri McKinsey për SRSS mbetet e anonimizuar.
Në qershor 2019, Komisioni justifikoi mos-zbulimin e kësaj pune duke u justifikuar se informacioni që do të paraqiste një “rrezik” për “sigurinë publike”, pasi gjoja “ai mund të shfrytëzohej nga palë të treta (për shembull, grupet e kontrabandistëve)”.
Zbulimi i plotë i kësaj, argumentoi ai, do të rrezikonte “të dëmtonte seriozisht interesat tregtare” të McKinsey.
“Ndërkohë që e kuptoj se mund të ketë vërtet një interes privat dhe publik për çështjen që mbulohet nga dokumentet e kërkuara, unë mendoj se një interes i tillë publik për transparencë, në këtë rast, nuk do të kishte më shumë peshë sesa nevoja për të mbrojtur interesat tregtare të kompanisë në fjalë”, shkroi Martin Selmayr, sekretari i përgjithshëm i Komisionit Europian.
SRSS hodhi poshtë sugjerimin se fakti që Verwey nuk pranoi të zbulonte plotësisht propozimin e McKinsey, të cilin ai e kishte nënshkruar në tetor 2016, përbënte një konflikt të mundshëm interesi, sipas dokumenteve të brendshme të siguruara gjatë këtij investigimi.
Pasi liderët e Europës e nënshkruan Planin e Përbashkët të Veprimit, EASO-s iu kërkua “të nënshkruante një kontratë të drejtpërdrejtë me McKinsey” për të ndihmuar në vënien në zbatim të saj, sipas procesverbalit të bordit drejtues të EASO.
“Presion politik”
Kontrata, me vlerë 992,000 euro, bashkangjitur kishte një “shënim përjashtimi” të firmosur më 20 janar 2017 nga Drejtori Ekzekutiv i EASO në atë kohë, Jose Carreira, dhe Joanna Darmanin, në atë kohë drejtoreshë e operacioneve e agjencisë. Shënimi thoshte se “për shkak të kufizimeve kohore dhe presionit politik, u pa si e nevojshme që të vazhdohej me firmosjen e kontratës pa ndjekur procedurën e nevojshme të prokurimit”.
Një vit më pas, një audit i llogarive vjetore të EASO nga Gjykata Europiane e Auditorëve, ECA, e cila kontrollon financat e BE-së, zbuloi se “një operatori të vetëm i paracaktuar” i ishte dhënë punë pa aplikimin e “ndonjë prej procedurave të prokurimit” të përcaktuara në rregullat e BE-së, të krijuara për të inkurajuar transparencën dhe konkurrencën.
“Prandaj, procedura e prokurimit publik dhe të gjitha pagesat e lidhura (992,000 euro) ishin të parregullta”, tha ajo.
Raporti i auditit nuk përmend McKinsey-n., por specifikon se kontrata “e parregullt” kishte të bënte me punësimin e një kompanie konsulence nga EASO për vënien në zbatim të planit të veprimit në Greqi. Shuma e cituar nga auditi përputhet saktësisht me atë që përmban kontrata McKinsey, ndërsa një zëdhënës i EASO indirekt konfirmoi kontrata në fjalë ishte vetëm një dhe se bëhej fjalë për të njëjtën.
Kur u pyet për kontratën e McKinsey-t, zëdhënësi, Anis Cassar, tha: “EASO nuk komenton specifikat që lidhen me kontratat individuale, sidomos në mes është edhe ECA. Megjithatë, siç e vini re, ECA konstatoi se procedura e veçantë e prokurimit ishte e parregullt (jo e paligjshme).”
“Prokurimi u krye bazuar në disa rregulla të jashtëzakonshme të prokurimit në kontekstin e kërkesave të ngutshme nga institucionet përkatëse të BE-së dhe shtetet anëtare”, tha zëdhënësi i EASO Anis Cassar.
Nënkryetari i McKinsey-it për Marrëdhëniet me Mediat Globale, Graham Ackerman, tha se kompania nuk mund të ofronte detaje të mëtejshme.
“Në përputhje me vlerat dhe politikën e konfidencialitetit të kompanisë tonë, ne nuk diskutojmë publikisht për klientët tanë ose detajet e shërbimit tonë ndaj klientit”, tha Ackerman për BIRN.
“Vlerësim, reagim, përcaktim qëllimi”
Kjo nuk ishte hera e parë që pati pyetje në lidhje me të dhënat e prokurimit të EASO-s.
Në tetor 2017, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, nisi një hetim për agjencinë, kryesisht në lidhje me parregullsitë e identifikuara në vitin 2016. Kjo solli dorëheqjen në qershor 2018 të Jose Carreira, i cili firmosi “shënimin e përjashtimit” në kontratën McKinsey. Hetimi përfundimisht zbuloi probleme, duke filluar nga shkelja e rregullave të prokurimit e deri te ngacmim i stafit, raportoi Politico në nëntor 2018.
Sipas EASO, kontrata e McKinsey-t nuk ishte pjesë e investigimit të OLAF. OLAF, nga ana tjetër, tha se nuk mund të komentonte lidhur me këtë çështje.
Puna e McKinsey-t vazhdoi me ritme të shpejta nga janari deri në prill 2017, kohë kur BE-ja dëshironte që çështjet e mbetura të azilit të ishin “eliminuar” dhe hiqej barra për ishujt e mbipopulluar grekë.
Projekti mbikëqyrej nga një komitet drejtues i përbërë nga Verwey, Carreira, stafi i McKinsey dhe zyrtarë të lartë grekë dhe të Komisionit Europian.
Detajet e operacionit të McKinsey-t janë të përfshira në një raport të paraqitur në maj 2017.
EASO fillimisht refuzoi ta publikonte raportin, duke përmendur “natyrën e tij të ndjeshme dhe kufizuese”. Agjencia tha se zbulimi i këtij raporti “do të dëmtonte mbrojtjen e sigurisë publike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe interesat tregtare dhe pronësinë intelektuale të “McKinsey&Company”.
Përgjigja ishte e firmosur nga Carreira.
Vetëm pasi një reporter që po merrej me këtë histori u ankua te Avokati i Popullit i BE-së, EASO pranoi të zbulonte disa pjesë të raportit.
I përbërë nga më shumë se 1,500 faqe, materiali i bërë publik ofron një pasqyrë unike të rolit të një kompanie të madhe dhe private konsulence në atë që ka qenë tradicionalisht fusha e politikës publike – e drejta për të kërkuar azil.
Në zhargonin e konsulencës menaxheriale, logjika pas ndërhyrjes së McKinsey-t ishte “maksimizimi i produktivitetit” – përpunimi i sa më shumë çështjeve për azil, sa më shpejt të ishte e mundur, pavarësisht nëse ato do të përfundonin me transferime në territorin grek, në rastin e aplikimeve të aprovuara, ose dëbimin në Turqi të “emigrantëve të kthyeshëm”.
“Sistemet e menaxhimit të performancës” u prezantuan për të inkurajuar shpejtësi, ndërsa mekanizmat u krijuan për të “monitoruar” “rezultatin” e përjavshëm të komiteteve që dëgjonin apelet e azilkërkuesve të refuzuar.
Koha e nevojshme për trajnimin e punëtorëve dhe intervistuesve para se ata të fillonin punën duhej reduktuar, mbështetja e IT për burokracinë greke u rrit dhe policia u udhëzua “të ndalonte emigrantët menjëherë pasi ata njoftoheshin për statusin e kthimit të tyre”, për shembull, menjëherë sapo kërkesat e tyre për azil refuzoheshin.
Katër punonjës të agjencisë greke për azil në atë kohë thanë BIRN se McKinsey kishte qasje tek stafi i agjencisë, por tha se qasja e konsulencës nuk kishte lidhje me realitetin e situatës në terren.
Pasi mori pjesë në një kurs “trajnimi për lidership” të organizuar nga McKinsey, një ish-punonjës, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për BIRN: “Dukej shumë ndryshe në krahasim me mentalitetin e një shërbimi publik që operonte në një kamp për azilkërkues.”
Zyrtari tha shumë nga ato që propozonte McKinsey ishin marrë tashmë në konsideratë dhe ose ishin vënë në zbatim ose ishin refuzuar nga GAS.
“Idetë kryesore mbi si të organizojmë punën tonë ishin iniciuar tashmë nga zyra kryesore e GAS-it”, tha zyrtari. “E vetmja gjë që shtoi McKinsey ishin metodat e vlerësimit, reagimit, përcaktimit të qëllimeve dhe nisma që nuk shtuan asgjë me kuptim.”
Në fakt, sasia e çështjeve të prapambetura po rezultonte e vështirë për t’u menaxhuar.
Gjatë gjithë “përditësimeve të progresit” të bërë, McKinsey paralajmëroi në mënyrë të vazhdueshme komitetin drejtues se “nivelet e produktivitetit nuk janë të mjaftueshme për të arritur objektivin”. Siç ka pranuar vetë kompania, dëbimet kurrë nuk i tejkaluan 50 në javë gjatë periudhës së kontratës së saj. Synimi ishte 340.
Në raportin e tij të fundit në maj 2017, McKinsey përshëndeti suksesin e saj në “reduktimin e kohëzgjatjes totale të procesit” të procedurës së azilit në vetëm 11 ditë, nga një mesatare prej 170 ditësh që ishte në shkurt 2017.
Megjithatë, mijëra azilkërkues mbetën të bllokuar në kampet e mbipopulluara të ishujve për muaj me radhë.
Ndërkohë që McKinsey pretendoi se popullsia e azilkërkuesve në ishull u reduktua në 6,000 deri në prill 2017, në pritje të “verifikimit të të dhënave” nga autoritetet greke, shifrat e qeverisë greke e vendosën numrin në 12,822, vetëm rreth 1,500 më pak se në janar kur McKinsey mori kontratën e saj.
Dimri ishte i ashpër. Organizatat që punojnë me azilkërkuesit dokumentuan një sërë aksidentesh në të cilat shumë njerëz u dëmtuan ose u vranë, me hetime të pamjaftueshme ose jo të kryera nga autoritetet greke.
Raporti përfundimtar i McKinsey shënoi 40 vizita në terren dhe më shumë se 200 takime dhe workshop-e në ishuj. Ai numëroi gjithashtu 21 takime javore të komitetit drejtues “që nga tetori i vitit 2016” – që lidh punën pro bono të McKinsey për vitin 2016 dhe periudhën e vitit 2017 kur ajo veproi sipas kontratës që bëri me EASO-n. Në fakt, në “përmbledhjen e projektit”, McKinsey shprehet se “u ftua” të punonte si për “zhvillimin” ashtu edhe për “vënien në zbatim” të planit të veprimit në Greqi.
Megjithatë, Komisioni në përgjigjen e tij për këtë investigim këmbënguli se ai nuk e “para-zgjodhi” McKinsey-n për punën e vitit 2017 dhe se nuk i kërkoi EASO-s të nënshkruante një kontratë me kompaninë.
I nxitur nga humbjet ushtarake në Siri dhe pengesat politike në vend, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e grisi marrëveshjen me BE-në në fund të shkurtit të këtij viti, duke akuzuar Brukselin se nuk kishte përmbushur anën e tij të marrëveshjes. Por edhe para rënies së marrëveshjes, 7,000 refugjatë dhe emigrantë arritën në brigjet greke në dy muajt e parë të vitit 2020, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Lidhja me Gjermaninë
Kjo nuk ishte hera e parë që kompania e famshme e konsulencës kishte lënë gjurmët e saj në trajtimin e krizës në Europë.
Në atë që u bë një skandal politik, Zyra Federale Gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, sipas raporteve, e pagoi kompaninë McKinsey më shumë se 45 milionë euro për të të ndihmuar në pastrimin e më shumë se 270,000 aplikimeve të mbetura për azil, si edhe për të shkurtuar procesin e azilit.
Raportet e mediave gjermane thanë se shuma përfshinte 3.9 milionë euro për “Menaxhimin e Integruar të Refugjatëve”, e njëjta frazë që McKinsey prezantoi në BE në shtator 2016.
Ngjashmëritë nuk mbarojnë këtu.
Ashtu si kontrata që McKinsey nënshkroi me EASO-n në janar 2017, raportet e mediave gjermane kanë zbuluar se më shumë se gjysma e shumës së paguar për konsulencën për punën e saj në Gjermani ishte dhënë jashtë procedurave normale të prokurimit publik për shkak të “urgjencës”. Der Spiegel raportoi se kompania bëri gjithashtu qindra orë punë pro bono para fillimit të kontratës. McKinsey mohoi të ketë punuar falas për të fituar kontrata të ardhshme federale.
Përsëri, detajet u klasifikuan si konfidenciale.
Arne Semsrott, drejtor i OJQ-së gjermane për transparencë FragdenStaat, e cila investigoi punën e McKinsey në Gjermani, tha se mungesa e transparencës në raste të tilla i kushtonte taksapaguesve europianë para dhe kontroll.
I pyetur në lidhje me përpjekjet gjermane dhe të BE-së për të mbajtur të fshehtë detajet e këtyre kontratave, Semsrott tha për BIRN: “Mungesa e transparencës nënkupton shpenzim të më shumë parave publike për McKinsey-n dhe për firma të tjera konsulence. Dhe kjo mungesë transparence do të thotë gjithashtu se kemi një mungesë të kontrollit publik mbi atë që po ndodh në të vërtetë.”
Burime që janë në dijeni të vendimmarrjeve në Athinë identifikuan Solveigh Hieronimus, një partnere e McKinsey-t me bazë në Mynih, si koordinatoren e ekipit të kompanisë në kontratën EASO në Greqi. Hieronimus kishte rol kryesor në ofrimin e shërbimeve të kompanisë për qeverinë gjermane, sipas raporteve të mediave gjermane.
Hieronimus nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN të dërguara me email.
Freund, eurodeputeti gjerman i Transparency International, tha se roli i McKinsey-t në Greqi ishte një arsye për t’u shqetësuar.
“Nuk është ideale nëse pozicionet e miratuara nga Këshilli Europian preken në ndonjë lloj mënyre nga bizneset e jashtme”, tha ai për BIRN. “Këto vendime duhet të merren nga politikanët bazuar në analiza ligjore dhe këshilla të pavarura dhe kompetente.”
Një reporter që u mor me këtë histori u ankua përsëri te Avokati i Popullit i BE-së në korrik 2019 në lidhje me refuzimin e Komisionit për të zbuluar detaje të mëtejshme të marrëdhënieve të tij me McKinsey-n.
Në nëntor, Avokati i Popullit i tha Komisionit se “thelbi i projektit të financuar, veçanërisht paketat e punës dhe realizimi i projektit ç…Ç duhet të zbuloheshin plotësisht”, duke cituar parimin se “publiku ka të drejtë të informohet në lidhje me përmbajtjen e projekteve që financohen nga paratë publike. ” Avokati i Popullit hodhi poshtë argumentin e Komisionit se zbulimi i pjesshëm do të dëmtonte interesat tregtare të McKinsey.
Presidentja e Komisionit Ursula von Der Leyen u përgjigj se Komisioni “nuk pajtohet me shumë respekt” me Avokatin e Popullit. Materiali në fjalë, shkroi ajo, “përmban informacione të ndjeshme mbi strategjitë e biznesit dhe marrëdhëniet tregtare të kompanisë në fjalë.”
Presidentja e Komisionit ka pasur më parë marrëdhënie me McKinsey-n. Në shkurt, von der Leyen dëshmoi para një komiteti të posaçëm të Bundestag në lidhje me kontratat me vlerë dhjetëra miliona euro që iu dhanë konsulentëve të jashtëm, përfshirë kompaninë McKinsey, gjatë kohës së saj si ministre gjermane e mbrojtjes në vitet 2013-2019.
Në vitin 2018, Zyra Federale e Auditimit e Gjermanisë tha se procedurat për dhënien e disa kontratave nuk ishin saktësisht të ligjshme ose me kosto efektive. Von der Leyen pranoi se kishin ndodhur parregullsi, por tha që ishte bërë shumë punë për të zgjidhur të metat.
Ajo u mor gjithashtu në pyetje në lidhje me emërimin nga ana e saj në vitin 2014 të Katrin Suder, një ekzekutive e McKinsey, si sekretare shteti e ngarkuar me reformimin e sistemit të prokurimeve të Bundeswehr. E pyetur nëse Suder, e cila e la ministrinë në vitin 2018, kishte ndikuar në procesin e dhënies së kontratave, von der Leyen tha se ajo besonte se jo. Unë nuk merresha me vendime të tilla, tha ajo.
Në raportin e tyre, partitë qeverisëse të Gjermanisë e shfajësuan von der Leyen, raportoi Politico më 9 qershor.
Avokati i Popullit i BE-së nuk i është përgjigjur ende refuzimit të Komisionit për të lejuar qasje të mëtejshme në dokumentet e McKinsey-t.