Rrëzimi i avionit, piloti tentoi të rikthente mjetin fluturues në aeroport

Kjo është bërë e ditur nga hetuesit iranianë që saktësuan se mjeti fluturues Boeing 737-800 u përplas në tokë vetëm disa minuta pasi ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit, duke mos lënë asnjë të mbijetuar. Të dhënat e para treguan se avioni përjetoi një problem menjëherë pasi u largua nga aeroporti dhe se ishte “në flakë”.

Rrëzimi i tij ndodhi vetëm pak orë pasi Irani zhvilloi sulme raketore në dy baza ushtarake amerikane në Irak. Megjithatë, nuk ka asnjë provë se këto dy ngjarje kanë lidhje. Ukraina ka pezulluar fluturimet drejt Iranit, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelenskiy kërkoi që mos të përhapej panik dhe teori konspirative.

“Pa dyshim, prioriteti i Ukrainës është të zbulojë shkaqet e rrëzimit të avionit. Sigurisht që do të zbardhim të vërtetën. Për këtë qëllim, një hetim i pavarur do të zhvillohet në përputhje me ligjet ndërkombëtare”.

Megjithatë, Irani njoftoi se nuk do t’i dorëzojë regjistrimet e kutive të zeza të mjetit fluturues kompanisë Boeing apo Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, në incidentin tragjik humbën jetën 82 iranianë, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, 3 gjermanë dhe 3 britanikë.

SHKARKO APP