Rritet bilanci, mbi 46 mijë viktima nga tërmeti në Turqi dhe Siri
Rritet bilanci i viktimave nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë. Si pasojë e këtyre tërmeteve, mbi 46.000 njerëz, 41.044 në Turqi dhe 4.966 në Siri, kanë humbur jetën. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se numri i viktimave pritet të rritet, duke e bërë këtë fatkeqësinë më vdekjeprurëse të Turqisë gjate shekullit XXI.
Gati 2 javë pasi vendi u godit nga tërmetet, përpjekjet e ekipeve të kërkim-shpëtimit janë në orët e tyre të fundit. Mbi 345,000 apartamente në Turqi raportohet se janë shkatërruar. Familjet tashmë presin që trupat e njerëzve të tyre të dashur të nxirren nga tonelatat e rrënojave dhe betonit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do ta vizitojë të dielën Turqinë, dhe do të diskutojë se si Uashingtoni mund ta ndihmojë më tej Ankaranë, teksa ajo po përballet me pasojat e tërmetit. Kombet e Bashkuara janë duke u kërkuar vendeve anëtare që të kontribuojnë me 1 miliard dollarë për t’iu ndihmuar miliona njerëzve të prekur nga tërmeti në Turqi, ndërsa 400 milionë dollarë për të ndihmuar sirianët.
Gjithashtu, Kryqi i Kuq ka bërë thirrje për mbi 700 milionë dollarë ndihmë për viktimat e tërmeteve vdekjeprurëse që goditën Turqinë dhe Sirinë. Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara ndanë një shumë prej 397 milionë dollarësh për të ofruar “ndihma dëshpërimisht të nevojshme për gati 5 milionë sirianë” për tre muajt e ardhshëm.
KOHA JONË SONDAZH

