Francë, një etje e madhe shpirtërore në pritje të Papës, udhëtimi apostolik paralajmërohet më 25-28 shtator
Kard. Aveline, së bashku me ipeshkvij të tjerë francezë, paraqiti në një konferencë për shtyp hollësitë e udhëtimit apostolik të Leonit XIV, më 25-28 shtator. Nga propozimi fillestar deri te zgjedhja e motos – një mesazh për “mbrojtjen e dinjitetit njerëzor” – e deri te buxheti i shpenzimeve, i cili ka arritur në 27 milionë euro, edhe për të garantuar mikpritjen më të mirë të mundshme për rreth një milion besimtarët e parashikuar. “Me peshë të madhe” edhe takimi i Papës me viktimat e abuzimeve
Kardinali Jean-Marc Aveline, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike të Francës, nuk dëshiron t’ia atribuojë vetes meritat dhe vazhdimisht flet për punën në ekip. Megjithatë, nëse Papa Leoni XIV do të jetë në Francë nga 25 deri më 28 shtator, në një vend ku vërehet “një etje jashtëzakonisht e madhe shpirtërore”, kjo i detyrohet pa dyshim edhe këmbënguljes së tij dhe aftësisë për të kapur momentin e duhur.
“Unë ia pata propozuar shumë herët Atit të Shenjtë Leonit XIV idenë e një vizite në Francë”, tregoi kardinali Aveline gjatë një konference me shtypin për udhëtimin apostolik, së bashku me ipeshkvij të tjerë, të martën më 8 shtator, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore Franceze.
“E njoh, sepse për dy vjet ishte, si të thuash, eprori im, kur ishte prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë… I thashë: ‘A po mendon për një udhëtim në Francë?’. Besoj se kishte një interes personal. Problemi ishte të gjenim një datë”.
Kardinalit Aveline i thanë se viti 2026 ishte shumë i afërt dhe se agjenda e Papës ishte tashmë e mbushur. “Flitej për vitin 2027 ose madje për fillimin e vitit 2028. Por 2027 paraqiste vështirësi të tjera, edhe për shkak të situatës politike franceze. Prandaj këmbëngula për mundësinë e vizitës së Papës gjatë vitit 2026”, shpjegoi ai para gazetarëve të shumtë të pranishëm në sallë dhe të tjerëve që ndiqnin konferencën përmes transmetimit të drejtpërdrejtë.
“Ishte një sfidë e jashtëzakonshme: vetëm katër muaj për të përgatitur gjithçka. Shkova të flisja me personin që kujdeset për agjendën e Papës dhe, në një moment, u lirua një javë, sepse një udhëtim i planifikuar në Peru ishte anuluar. I thashë: atëherë, jo Peruja, por Franca. Për pjesën tjetër kujdesem unë”.
Kohë e shkurtër dhe organizim i madh
Kështu lindi udhëtimi i pestë apostolik i papnisë të Robert Francis Prevost dhe i treti në një vend evropian. Pikërisht për këtë arsye, “afatet janë kaq të shkurtra”: vetëm katër muaj për të organizuar gjithçka, për të siguruar vendet kryesore të Parisit, për të organizuar vigjiljen në Saint-Denis, për të përgatitur hapësirat publike dhe të rezervuara në Lurdë dhe për të menaxhuar sheshet e vogla dhe Kishat e Metz-it.
Mbi të gjitha, duhej të garantohej mikpritja më e mirë e mundshme në të trija vendet. Një punë e madhe, por “më dukej se ishte më mirë ta shfrytëzonim këtë mundësi sesa ta shtynim”, tha kardinali Aveline.
Ideja e motos, një mesazh për jetën
Gjatë konferencës, kardinali Aveline shpjegoi edhe prejardhjen e motos së udhëtimit të Papës në Francë: “Që bota të ketë jetën”. Kjo është një shprehje e frymëzuar nga Ungjilli sipas Gjonit, në të cilën disa kanë parë një referim ndaj debatit mbi projektligjin për vetëvrasjen e asistuar, të miratuar në korrik nga Parlamenti francez.
Kardinali francez Aveline e përjashton çdo interpretim politik, por nuk mohon se motoja është një mesazh për “mbrojtjen e dinjitetit të jetës njerëzore”. Në çdo rast, ajo është rezultat i një reflektimi të gjatë. “Për të thënë të vërtetën, nuk e dinim mirë se çfarë t’i propozonim Papës. Kishim filluar të reflektonim mbi paqen, sepse ai ka folur shumë për të. Kështu menduam për ‘Drejtësia dhe paqja do të përqafohen’, por kuptuam se kjo ishte motoja e Libanit”.
Më pas, gjatë një vizite në Romë, erdhi frymëzimi: “E lamë idenë të piqej dhe, në mbrëmje, i shkrova Papës një email të shkurtër: ‘Ja, na lindi kjo ide’. Të nesërmen në mëngjes Papa m’u përgjigj: ‘Po, kjo është e mirë’”.
Duke iu referuar enciklikës së Leonit XIV Magnifica Humanitas, kardinali Aveline theksoi se “shihet se bëhet fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të jetës njerëzore në të gjitha situatat në të cilat ky dinjitet mund të kërcënohet. Dhe sot ka shumë të tilla”. “Mbrojtja e dinjitetit të jetës njerëzore është diçka që qëndron në qendër të mesazhit të Papës Leoni XIV”.
Si do të zhvillohet ky mesazh në Francë?
“Do ta shohim, por tashmë e dimë se çështja e jetës dhe respekti për jetën, jo vetëm nga këndvështrimi etik, por në shumë mënyra, lidhet shumë fort me mesazhin e Ungjillit”.
Shifra të mëdha për buxhetin dhe pjesëmarrjen
Udhëtimi i Leonit XIV në Francë pritet të jetë intensiv për nga organizimi, përmbajtja dhe gjithashtu edhe për numrin e madh të pjesëmarrësve dhe kostot. Rreth 27 milionë euro është buxheti i përgjithshëm i parashikuar për vizitën e Papës në Francë.
“Po përpiqemi ta menaxhojmë projektin me vëmendjen më të madhe ndaj shpenzimeve. Deri tani kemi mbledhur rreth 5,5 milionë euro dhe mbledhja e fondeve vazhdon”, shpjegoi kardinali Aveline, duke folur edhe për donacionet e mbledhura përmes faqes zyrtare. Fillimisht ishte parashikuar një shumë më e ulët, por “ndoshta kemi shkuar përtej asaj që mund të parashikonim fillimisht”, edhe për shkak të numrit të besimtarëve që pritet të marrin pjesë.
Mes rezervimeve dhe regjistrimeve, tashmë flitet për një milion njerëz, jo vetëm nga Franca, por edhe nga vendet fqinje evropiane, veçanërisht për Metz-in. Bëhet fjalë për persona të moshave, prejardhjeve dhe, në disa raste, edhe feve të ndryshme. “Ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm, por ka edhe një sfidë shumë të madhe organizative dhe logjistike: të mirëpresim çdo besimtar dhe çdo person që dëshiron ta shohë ose ta takojë Papën në mënyrën më të mirë të mundshme”, nënvizoi kryetari i ipeshkvijve të Francës.
Laïcité
Për një “sfidë të jashtëzakonshme” foli edhe kryeipeshkvi i Parisit, imzot Laurent Ulrich: “Që nga shpallja e udhëtimit të Papës në maj, kishim katër muaj, duke përfshirë edhe periudhën e verës, për të organizuar vizitën e Atit të Shenjtë”.
Kryeipeshkvi Ulrich shprehet “entuziast” dhe “absolutisht i qetë” për mënyrën se si po ecin punët, falë edhe ekipit të vullnetarëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe mbështetjes së agjencisë Gel Evans, e kontaktuar posaçërisht. Sigurisht, nuk është e lehtë, por do të bëhet çdo përpjekje për “të mirëpritur çdo person që do të vijë, në mënyrë që të mund ta shohë Papën dhe jo në një ekran gjigant, por drejtpërdrejt”.
Për Parisin, tha kryeipeshkvi Ulrich, janë zgjedhur “vendet më emblematike”, përfshirë dy simbole si Place de la Concorde dhe Champs-Élysées. Kjo ka shkaktuar disa kundërshtime nga mbështetësit më të vendosur të laïcité-së, pra të karakterit laik të shtetit, si politikanë ashtu edhe të tjerë.
“Është e rëndësishme të kujtojmë se jemi në një Republikë laike. Shteti nuk njeh asnjë kult, por garanton që besimet e ndryshme fetare të mund ta shprehin publikisht fenë e tyre”, theksoi për këtë çështje kardinali Aveline. “Kur organizohet një manifestim fetar në hapësirën publike, është e nevojshme të kërkohet autorizimi i autoriteteve kompetente. Ne kemi ndjekur procedurën e parashikuar dhe nuk po kapërcejmë asnjë rregull apo kufi”.
Takimi me viktimat e abuzimeve seksuale
Përtej të gjitha këtyre aspekteve, ajo që ipeshkvijtë e Francës dëshirojnë të nënvizojnë është dimensioni i takimit që do të karakterizojë udhëtimin e Papës. Do të ketë takime publike dhe private: mes turmave në sheshin përpara Notre-Dame, në Stade de France, gjatë Meshës në Concorde, por edhe takime më të rezervuara me grupe të vogla.
Ndër këto është edhe takimi në Shenjtëroren e Zojës në Lurdë me të sëmurët dhe me një grup viktimash të abuzimeve seksuale. Për këtë takim dha hollësi ipeshkvi imzot Pierre Antoine Bozo, zëdhënës i ipeshkvijve francez dhe bashkëpunëtor i dioqezës së La Rochelle: “Që në fillim u duk se Papa dëshironte të takonte viktimat e abuzimeve seksuale… Është e nevojshme të kujdesemi për këto viktima dhe, në të njëjtën kohë, të qëndrojmë jashtëzakonisht vigjilentë për çështjen e parandalimit, në mënyrë që Kisha të jetë shtëpia e sigurt që dëshirojmë”.
Duke pasur parasysh kontekstin në Kishë dhe në shoqëri, sipas ipeshkvit, ishte “e qartë” se do të zhvillohej një takim i tillë; çështja lidhej më tepër me “formën”. “Ajo që përcaktoi zgjedhjen – shpjegoi ai – ishte dëshira e vetë Papës që të ishte një takim vërtet ndërpersonal; kjo kërkonte një numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe, për këtë arsye, u zgjodh një grup prej shtatë personash”.
Këta u “përzgjodhën” nga Konferenca Ipeshkvnore Franceze dhe nga Konferenca e Rregulltarëve dhe Rregulltareve të Francës, pas kontakteve me rreth dyzet bashkëbisedues, mes grupeve dhe individëve.
Të gjithë propozuan disa ide për realizimin e takimit, i cili “do të zgjasë rreth një orë” dhe “do të ketë një peshë të madhe”. “Personat – theksoi imzot Bozo – janë përzgjedhur në mënyrë veçanërisht të ekuilibruar, sepse janë burra dhe gra që kanë qenë viktima të abuzimeve, si të mitur ashtu edhe të rritur, në mjedise shkollore dhe famullitare”. Është kërkuar të garantohet “përfaqësimi më i drejtë i mundshëm”, tha imzot Bozo, por në mënyrë të pashmangshme kjo “ka shkaktuar njëfarë zhgënjimi te ata që nuk janë përzgjedhur”.
Megjithatë, ajo që është dashur të vihet në plan të parë është “cilësia e takimit me Atin e Shenjtë, në mënyrë që të mund të zhvillohet një shkëmbim i vërtetë”. Me një numër më të madh pjesëmarrësish, kjo do të ishte e vështirë. Në çdo rast, kushdo nga grupet apo individët e kontaktuar nga Shërbimi për Mbrojtjen e të Miturve që dëshiron t’i përcjellë diçka Papës, do të ketë mundësi ta bëjë këtë duke dërguar “një tekst të shkruar që do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë”.
Shtegtar në Lurdë
Edhe pse dëshira e ipeshkvijve të Farncës është që gjatë këtyre katër ditëve të gjithë të kenë mundësinë të kontaktojnë Papën, ekzistojnë disa “kufizime”.
Ky është rasti edhe i Shenjtërores së Zojës në Lurdë , siç theksoi ipeshkvi Jean Marc Micas, i cili, duke nënvizuar “gjallërinë e madhe” për këtë etapë, në vazhdën e vizitave të Shën Gjon Palit II në vitet 1983 dhe 2004 dhe të Benediktit XVI në vitin 2008, kujtoi:
“Lurdë është një vend i kufizuar nga hapësirat e ngushta të një qyteti malor, nga një lumë që rrjedh në këmbët e shpellës; të gjitha këto kufizime imponojnë limite për kapacitetin, lejet dhe autorizimet. Ne po bëjmë maksimumin për t’u mundësuar atyre personave që dëshirojnë të vijnë që ta bëjnë këtë në kushtet më të mira të mundshme”.
Vetëm gjatë fundjavës do të mbërrijnë 50 mijë persona në Lurdë , ndërsa me rastin e vizitës së Papës parashikohet një numër edhe më i madh.
Bashkia, prefektura, forcat e rendit dhe vullnetarët e ekipeve të Shenjtërores së Zojës në Lurdë po “përveshin mëngët për të mirëpritur gjithë këtë numër të madh njerëzish në kushte të shkëlqyera, në mënyrë që të mund të jetojnë një përvojë shtegtimi me një shtegtar të veçantë: Papën”.
Po, sepse Leoni XIV do të paraqitet pikërisht si shtegtar në shenjtëroren e famshme mariane.
Sapo të zbresë nga avioni, ai do të shkojë në Shpellën e Massabielle-s:
“Do të prekë shkëmbin, do të pijë ujë, do të ndezë një qiri, do të gjunjëzohet dhe do të lutet në heshtje, ashtu siç bëjnë shtegtarët në Lurdë”.
Më pas, si “bari”, Papa do të kryesojë procesionin marian me pishtarë dhe do të kremtojë Meshën e Shenjtë.
Dimensioni ndërfetar
Ky do të jetë një moment me intensitet të thellë shpirtëror, por nuk synon të jetë qendra e udhëtimit papnor në Francë, i cili do të jetë i pasur me tema dhe ngjarje.
Do të jetë veçanërisht i rëndësishëm edhe dimensioni ndërfetar.
“Përtej rretheve të besimtarëve, vetë udhëtimi i Papës është tashmë diçka madhështore vetëm për mënyrën se si po përgatitet dhe për entuziazmin që ka ngjallur te shumë njerëz”, tha ipeshkvi i Pontoise-s, Benoit Bertrand, koordinator i udhëtimit për Konferencën Ipeshkvnore Franceze.
Ndërkohë, imzot Etienne Guillet, ipeshkvi i Saint-Denis, dioqeza në periferi veriore të Parisit ku ndodhet Stade de France, që do të presë vigjiljen e takimit me rinjtë, bëri të ditur se pothuajse 80 mijë të rinj dhe të reja nga i gjithë vendi janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë mbrëmje me Papën.
Këta të rinj kanë ftuar edhe miq hebrenj, myslimanë, sikë, budistë dhe hindu.
“Jetojnë së bashku gjatë gjithë vitit dhe ndienin dëshirën për ta ndarë këtë moment të madh”.
“Jemi shumë të vëmendshëm që asnjë i ri të mos përjashtohet nga ky tubim”, tha imzot Guillet.
Në tribunat e stadiumit do të jenë edhe të sëmurë, të rinj që jetojnë në situata të vështira shoqërore, të rinj që vijnë nga shkolla katolike, por edhe nga mjedise më pak fetare.
Do të jenë të pranishëm edhe rreth tridhjetë artistë të Cirkut Shëtitës – “të krishterë dhe jo të krishterë” – të cilët dëshirojnë t’i japin Papës përshëndetjen e tyre.
Nga Metz-i, një mesazh për Evropën
Në kuadër të dialogut ndërfetar, një rëndësi të veçantë do të ketë edhe takimi i Papës në Metz me përfaqësuesit e besimeve të ndryshme.
“Fetë që dialogojnë mund të kontribuojnë në ndërtimin e paqes”, theksoi ipeshkvi imzot Philippe Ballot.
“Për këtë arsye ndiejmë se dita në Metz, megjithëse lind nga një dimension lokal dhe kombëtar, merr një dimension evropian dhe ndërkombëtar”.
Metz-i është vërtet “zemra” e Evropës, jo vetëm për pozicionin e tij gjeografik, por edhe për historinë e tij, e cila ndërthuret me atë të njërit prej etërve themelues të Bashkimit Evropian: Robert Schumanit, njeriut që Papa Françesku e shpalli të nderuar.
Schumani përjetoi “kompleksitetin e përkatësisë në kombësi të ndryshme dhe dramën e të parit të këtyre kombësive duke luftuar kundër njëra-tjetrës”. “Prandaj pajtimi ishte gjithmonë në qendër të jetës së tij”, tha ipeshkvi Ballot.
Dhe pikërisht në shenjën e pajtimit, Papa Leoni XIV do t’i bëjë homazh Schumanit, duke i përcjellë një mesazh të gjithë Evropës.
“Kur Papa viziton një vend, vizita e tij nuk lidhet vetëm me atë vend, por mund t’i ofrojë diçka Kishës universale”, tha kardinali Aveline.
“Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të dëgjojmë atë që Papa do të ketë për të na thënë, si dhe të kuptojmë se çfarë jemi të thirrur të ndryshojmë. Nga fjalët e tij mund të marrim një lloj udhëzimi”. Udhëzime që mund të jenë të vlefshme për Francën, Evropën dhe mbarë botën.
Vatican News
KOHA JONË SONDAZH

