Gazment Bardhi për protestën: PD e ka mbështetur, nuk më shqetësojnë thirrjet “Berisha në burg”
Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, thotë se selia blu e ka mbështetur protestën që prej nisjes së saj, duke theksuar se detyrimi i një politikani është të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të mbështesë kauzat që ngrihen prej tyre. Gjatë debatit, gazetarja Klodiana Lala e pyeti Bardhin edhe për thirrjet e protestuesve, të përsëritura prej 124 ditësh: “Rama në burg, Berisha në burg”. Bardhi tha se një thirrje e tillë nuk e shqetëson, duke argumentuar se protesta është një shprehje qytetare dhe se secili ka të drejtën të artikulojë qëndrimin e tij.
”Unë gjykoj se është protestë qytetare dhe kjo është gjithmonë edhe më e vlefshme dhe më produktive. Sa i takon mbështetësve të PD-së, si qytetar më duhet të them se mbështetësit tanë kanë qenë që në fillim. Nga dita e parë deri sot kanë qenë në mbështetje dhe pjesëmarrës. Unë nuk shoh asnjë problem, dikush mund të bërtasë edhe ‘Gaz Bardhi në burg’”, u shpreh Bardhi.
Në vijim, Lala e vendosi deputetin përballë një tjetër çështjeje, duke e pyetur nëse opozita duhet ta shohë si problem faktin që protestuesit kërkojnë jo vetëm largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe arrestimin e kreut të PD-së, Sali Berisha. ”Protestuesit kanë një kërkesë kryesore, që është largimi i zotit Rama, por ka edhe një thirrje ku kërkohet arrestimi dhe dërgimi i zotit Berisha në burg. A ndiheni ju si opozitë e delegjitimuar, se njerëzit nuk ju besojnë më?”,-tha Lala.
Bardhi e hodhi poshtë këtë interpretim, duke deklaruar se nuk e konsideron veten një opozitar të delegjitimuar. ”Unë nuk ndihem si opozitar i delegjitimuar, por ndihem i vlerësuar që ata ngrenë kauza që opozita ka vite që i denoncon”,-tha Bardhi. Debati në studio u përqendrua kështu te raporti mes protestës qytetare dhe opozitës, si dhe te mesazhet politike që përcillen përmes thirrjeve të protestuesve.

