Rritja e rasteve pozitive, Moska ashpërson masat anti-Covid
Autoritetet në Moskë vendosën që gjatë dy muajve të ardhshëm t’i mbyllin restorantet, baret dhe klubet e natës, nga ora 23:00 deri në orën 6:00, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Nga data 13 nëntor deri më 15 janar, numri i spektatorëve në teatro, kinema dhe koncerte do të kufizohet në një të katërtën e kapacitetit total, tha të martën kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, duke shtuar se qyteti është duke u përballur me rritje “të ndjeshme” të numrit të të infektuarve.
Gjatë asaj periudhe, edhe studentët e kolegjeve dhe universiteteve duhet të mësojnë nga distanca. Autoritetet shëndetësore thanë të martën se 5,902 raste të reja me koronavirus u konfirmuan në Moskë gjatë ditës së kaluar.
Në gjithë Rusinë janë raportuar 20,977 raste të reja, të cilat e çojnë në mbi 1.8 milion numrin e përgjithshëm të rasteve në këtë vend.
Me këtë shifër, Rusia radhitet e pesta në botë sa i përket numrit të të infektuarve.
Më 6 nëntor, zëvendëskryetarja e Moskës, Anastasia Rakova, ka thënë se 70 për qind e shtretërve të paracaktuar për pacientët me koronavirus në qytet, janë mbushur. /REL/