Rritje dramatike e numrit të të infektuarve me koronavirus edhe në Rumani
Rumania ka raportuar të hënën një rritje të ndjeshme të numrit të personave që janë infektuar dhe kanë vdekur nga koronavirusi i ri, teksa presidenti, Klaus Iohannis i ka bërë thirrje publikut që të vetizolohet me qëllim të parandalimit të përhapjes së smëundjes.
Grupi Strategjik i Komunikimit në Rumani, trup që është duke u përballur me shpërthimin, ka raportuar për 143 raste të reja, duke e dërguar në total në 576 numrin e të prekurve nga Covid-19.
Në 24 orët e fundit është vërejtur 45 për qind rritje e numrit të të prekurve, përderisa pesë persona kanë humbur jetën, shkruan Rel.
Sipas autoriteteve, të pesë personat kanë qenë të moshuar me probleme shëndetësore.
Deri më tani shtatë rumunë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes jashtë Rumanisë, gjashtë në Itali dhe një në Spanjë.
Përmes një adresimi televiziv, Iohannis u ka bërë thirrje rumunëve që të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm në rast se ndodh diçka e jashtëzakonshme.