Rubio: Lufta në Gazë nuk ka përfunduar, prioritet lirimi i pengjeve
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të dielën se lufta në Gazë nuk ka përfunduar ende, duke e përshkruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi si fazën e parë drejt përfundimit të konfliktit, sipas një plani amerikan të paqes prej 20 pikash.
Hamasi, një grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, ka qenë në qendër të konfliktit që nisi më 7 tetor 2023, kur militantët e tij sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Në një intervistë për rrjetin amerikan NBC, Rubio tha se Hamasi ka rënë dakord “në parim” me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për kornizën e lirimit të pengjeve, dhe se janë planifikuar takime për koordinimin e këtij procesi.
“Ata janë pajtuar në parim dhe në përgjithësi për t’i hyrë kësaj ideje se çfarë do të ndodhë më pas. Shumë detaje duhet ende të analizohen, ” shtoi ai.
Më vonë, në një prononcim për Fox News, Rubio theksoi se asgjë nuk është plotësisht e sigurt dhe se “askush nuk mund të thotë se është 100 për qind e sigurt”.
Plani prej 20 pikash parashikon përfundimin e luftimeve dhe lirimin e 20 pengjeve izraelite të gjalla të mbajtura nga Hamasi, si dhe trupave të pengjeve të vdekur, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve që ndodhen në burgjet izraelite.
Rubio theksoi se Shtetet e Bashkuara do të kuptojnë shpejt nëse Hamasi është serioz për këtë proces, gjatë bisedimeve teknike që do të zhvillohen për koordinimin e lirimit të pengjeve.
“Prioriteti kryesor, i cili mendojmë se mund të realizohet shpejt, është lirimi i të gjitha pengjeve në këmbim të tërheqjes së Izraelit në linjën e verdhë, ku Izraeli ka qenë brenda Gazës në mesin e gushtit,” tha ai.
Sekretari amerikan përshkroi fazën e dytë, që lidhet me të ardhmen afatgjatë të Gazës, si “edhe më të vështirë” dhe ngriti pyetje thelbësore për pastrimin nga grupet terroriste dhe krijimin e një qeverisjeje teknokrate palestineze që nuk përfshin Hamasin.
Sipas Rubio, të gjitha këto duhet të qartësohen për të siguruar një paqe të qëndrueshme.
Ndërkohë, presidenti Trump ka paralajmëruar se Hamasi do të përballet me “shkatërrim të plotë” nëse nuk heq dorë nga pushteti në Gazë.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbështet ndaljen e bombardimeve dhe planin amerikan për paqe, Rubio tha se Netanyahu është në favor dhe pret të mësojë së shpejti nëse Hamasi është vërtet i përkushtuar për paqe.
Si pasojë e ofensivës izraelite për shkatërrimin e Hamasit, kanë humbur jetën mbi 66,000 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Sipas organizatave ndërkombëtare të ndihmës, situata humanitare në Gazë mbetet jashtëzakonisht e rëndë, me mungesë thelbësore të ushqimit dhe nevojave të tjera bazë.
KOHA JONË SONDAZH

