Rupert Murdoch, postim skandaloz
Rupert Murdoch, një nga bosët e mediave më të mëdhenj në botë, ka tërhequr rreth vetes mijëra reagime për shkak të një mesazhi skandaloz në rrjetin social “Twitter”.
Brenda vetëm një ore, mesazhi i Murdoch në lidhje me sulmin terrorist ndaj redaksisë së të përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”, në Paris, sulm ky që shkaktoi vdekjen e gjithsej 12 personave, mes tyre 2 policë dhe 4 karikaturistë; ka tërhequr me mijëra reagime nga të katër anët e rruzullit tokësor.
Në mesazhin e tij të parë, Rupert Murdoch shkruante: “Shumica e myslimanëve mund të jenë paqësorë, por duhen konsideruar përgjegjës të terrorit derisa të pranojnë dhe shkatërrojnë kancerin e tyre xhihadist në rritje.”
Kurse në mesazhin e dytë mbi këtë çështje bosi mediatik shprehej me këto fjalë: “Rreziku i madh xhihadist po përhapet gjithandej, nga Filipinet në Afrikë, Evropë dhe në SHBA. Në emër të korrektësisë politike po shkohet mohimit dhe hipokrizisë.”
Ajo çka ra në sy më shumë tek mesazhi skandaloz i Murdoch ishte numri vogël i pëlqimeve, vetëm disa mijë, ndërkohë që ai ka më shumë se gjysmë milionë ndjekës.
Një ndjekës i tij në “Twitter” ka reaguar duke thënë se “nuk mund të quash miliarda persona përgjegjës të një akti, që është kryer nga një grusht njerëz”.
Murdoch, i cili zotëron një fuqi mediatike të jashtëzakonshme anembanë botës, kryesisht në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më parë është kritikuar ashpër për vitet me radhë edhe për shkak të publikimeve, që nxitën luftën në Irak. I renditur në krye të listës së njerëzve më të pasur në botë, postimi i Rupert Murdoch në “Twitter”, vetëm disa orë përpara Marshimit Republikan në Paris, u cilësua si një incident dhe gafë e madhe.
Postimet e Murdoch bien ndesh jo vetëm me frymën dhe shpirtin e marshimit në Paris, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri turk, Ahmet Davutollu, por edhe me deklaratat e vet Presidentit të Francës, François Hollande, i cili ka thënë se “sulmet nuk kanë aspak lidhje me islamin”. Mesa duket, Rupert Murdoch ka harruar që viktimë e sulmit ndaj “Charlie Hebdo” ishte edhe një polic me emrin Ahmed Merabet, që pikërisht pse ishte mysliman u shndërrua në simbol të ngjarjes.
Sulmi në fjalë ngjalli reagim në shkallë botërore, ku spikatën menjëherë deklaratat dënuese të liderëve të vendeve myslimane; ndërsa terrori u mallkua nga i gjithë opinioni publik ndërkombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

