Rusi-Azerbajxhan-Iran: Të forcojmë bashkëpunimin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin; presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe presidenti i Iranit, Hassan Rouhani kanë zhvilluar një takim trepalësh.
Përfundimi i këtij takimi është finalizuar me miratimin e një deklarate, e cila konfirmon synimin e tyre për të zhvilluar më tej bashkëpunimin mes palëve.
Deklarata mbulon fusha të ndryshme të bashkëpunimit, të tilla si përpjekjet e përbashkëta për të luftuar terrorizmin, zbutjen e konflikteve rajonale, të punuarit së bashku në rajonin e detit Kaspik, si edhe zhvillimin e lidhjeve në sektorin e energjisë, transportit apo fusha të tjera. Të tre presidentët ranë dakord gjithashtu që të ngrejnë grupe pune në fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Teksa më herët gjatë ditës, Putin ka zhvilluar edhe bisedime të veçanta dypalëshe me presidentët e Azerbajxhanit dhe Iranit.
“Azerbajxhani dhe Irani janë fqinjë të mirë dhe partnerë të rëndësishëm për Rusinë. Ne kemi një histori të pasur të bashkëpunimit produktiv. Nuk ka dyshim, sot ne jemi duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet tona duke hyrë në formatin e një bashkëpunimi trepalësh. Ne besojmë se nevoja për këtë format është e qartë: të tre vendet kanë një interes të përbashkët në koordinimin e qasjeve të tyre mbi një gamë të gjerë çështjesh rajonale e globale dhe vazhdimësinë e promovimit të një bashkëpunimi praktik në tregti dhe ekonomi”, u shpreh presidenti rus, Vladimir Putin gjatë takimit trepalësh me krerët e shtetit të Azerbajxhanit dhe Iranit.
Duke theksuar më tej faktin se shumë vende po përballen me probleme të ngjashme.
“Po i referohem krizës së vazhdueshme globale ekonomike dhe tensioneve të përsëritura.
Zona e destabilitetit dhe konfliktet në vijim, kërcënimi terrorist në rritje, para së gjithash nga ISIS, Jabhat al-Nusra dhe organizata të tjera terroriste, përbëjnë një rrezik real për ne”, shtoi Putin.
Për të vijuar më tej me përmendjen e disa çështjeve që sipas tij Rusia i konsideron të rëndësishme.
Për shembull, marrja në konsideratë e ecjes para në shkëmbimin e informacionit mbi aktivitetet e organizatave terroriste ndërkombëtare. E nevojshme kjo në mënyrë që të frenojë në mënyrë më efektive tranzitin e militantëve, armëve apo drogës nëpërmjet territoreve të vendeve tona.
“Ne shpresojmë se dialogu trepalësh në çështjet e Kaspikut do të na ndihmojë në kompletimin e punës plotë mbi konventën e statusit ligjor të Detit Kaspik brenda afatit. Jam i bindur se nënshkrimi dhe zbatimi i kësaj konvente është në interes të pesë shteteve të Kaspikut.
Perspektivat e bashkëpunimit në infrastrukturën e transportit janë premtuese. Unë jam duke iu referuar planeve për të krijuar një krah perëndimor të korridorit ndërkombëtar Veri-Jug.
Në industrinë e energjisë prioritet duhet t’i jepet zbatimit të projekteve për eksplorimin dhe zhvillimin e depozitave të naftës dhe gazit, para së gjithash në rajoninin e Kaspikut.
Ne jemi të gatshëm për të diskutuar projekte reciprokisht të dobishme për përdorimin e përbashkët të infrastrukturës së tubacioneve për tranzitimin e lëndëve të para.
Natyrisht, më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet bashkëpunimit në fushat e kulturës, turizmit, shkëmbimeve rinore dhe edukimit. Ne kemi nevojë për të nxitur lidhjet direkte midis rajoneve të tre shteteve tona.
Unë jam i bindur se në të ardhmen, bashkëpunimi ndërmjet fqinjëve Rusi, Azerbajxhan dhe Iran do të jetë pragmatik dhe reciprokisht i dobishëm.
Ai do të përfshijë interesat jetike të vendeve tona dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin dinamik të gjithë rajonit të Kaspikut”, e përfundoi fjalën e tij Putin.
KOHA JONË SONDAZH

