Rusi, pse dhe ku është “zhdukur” presidenti Vladimir Putin?!
Ku është zhdukur presidenti, Vladimir Putin? Rusia pyet sot mbi gjendjen shëndetësore të drejtuesit të saj, i cili i mungon jetës publike që prej një jave, ndërkohë që Kremlini siguron vazhdimisht se presidenti është shëndoshë e mirë. – ”Putin është në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, konfirmoi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, në radion Eko e Moskës. Dalja e fundit publike e presidentit rus daton më 5 mars, ditën kur ai priti kryeministrin italian, Mateo Renzi, i cili zhvilloi një vizitë për të kërkuar mbështetjen e Moskës për çështjen libiane. Që prej asaj kohe, Putin, 62 vjeçar, shtyu udhëtimin e tij në Kazakistan, (ish-republikë sovjetike e Azisë Qendrore), dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje mbi riforcimin e bashkëpunimit me Osetinë e Jugut, një republikë separatiste gjeorgjiane, parashikuar më parë në fillim të kësaj jave. – ”Ish-agjenti i KGB-së, i cili ruan gjithmonë imazhin e një burri të fortë, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë gjithashtu në një takim vjetor të shërbimeve sekrete ruse (FSB), për shkak të axhendës tepër të ngjeshur”, theksoi Peskov, cituar nga agjencia e lajmeve ”Ria Novosti”, duke saktësuar se të gjitha takimet nuk ishin publikuar. I pyetur mbi gjendjen shëndetësore të presidentit, zëdhënësi Peskov theksoi duke cituar një shprehje që përdoret në Rusi, se grushti i Vladimir Putinit do t’i mundësonte thyerjen e dorës të bashkëbiseduesit të tij,. – ”Kur dielli shfaqet dhe ka filluar të ndjehet pranvera, njerëzit fillojnë të delirojnë”, shprehet Peskov, cituar nga agjencia e lajmeve TASS duke iu referuar atyre që qarkullojnë zëra mbi problemet të mundshme shëndetësore të presidentit. Në vitin 2012, shëndeti i Presidentit Putin, kishte qenë tashmë objekt i spekulimeve në Rusi pas anulimeve të disa udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa ishte shfaqur në publik në gjendje të mirë, Kremlini shpjegoi në atë kohë se presidenti vuante nga një dëmtim i hershëm në shpinë, për shkak të sportit