Rusi-Ukrainë, SHBA vendos 8500 trupa në gatishmëri në Europën Lindore
Rreth 8500 trupa amerikane janë vënë në gatishmëri të shtuar për një dislokim të mundshëm në Europën Lindore, ndërsa trupat ruse grumbullohen në kufirin e Ukrainës
Ky është hapi i fundit që SHBA ka ndërmarrë për t’u përgatitur për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës që zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të jetë i afërt.
Disa anëtarë të aleancës ushtarake të NATO-s, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Bullgarinë dhe Holandën, tashmë po dërgojnë avionë luftarakë dhe anije luftarake në Evropën Lindore për të forcuar mbrojtjen në rajon.
NATO-ja denoncoi Rusinë për përshkallëzim të tensioneve në lidhje me krizën në Ukrainë. Zyrtarët e NATO-s gjithashtu thanë se aleanca mund të dërgonte trupa shtesë në krahun e saj juglindor.
Rusia ka mohuar akuzat se po planifikon pushtimin e Ukrainës. Por, pasi shkaktoi krizën duke e rrethuar Ukrainën me forca nga veriu, lindja dhe jugu, Moska tani po përdor reagimin e Perëndimit si provë për të mbështetur argumentin e saj se Rusia është vënë në shënjestër dhe nuk është ajo që nxit agresionin.