Rusia akuzon NATO-n dhe Evropën për nxitje tensionesh në kontinent

Rusia hedh akuza të forta kundrejt NATO-s dhe Evropës.

Nga Konferenca për Siguri në Mynih, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u shpreh se NATO dhe Evropa po nxit tensione në kontinent, teksa i ka bërë thirrje liderëve botërorë që të heqin dorë nga kërcënimi fantazmë rus.

Lufta në lindje të Ukrainës dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia, kanë bërë që shtetet perëndimore të vendosi sanksione ndaj Moskës. Po ashtu, Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, si pasojë e aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Lavrov sugjeroi se NATO duhet të fajësohet për tensionet me Rusinë, përfshirë këtu rritjen e prezencës viteve të fundit të ushtrive perëndimore në shtetet e Baltikut dhe Poloni.

Lavrov: “Kriza e besimit veçanërisht ndihet në çështjet evropiane. Nxitja e tensioneve, përparimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Lindje, ushtrimet ushtarake në një shkallë të pashembullt në afërsi të kufijve të Rusisë, rritja e buxheteve të mbrojtjes përtej çdo mase, të gjitha këto gjenerojnë pasiguri”.

Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, bëri thirrje që shteti i tij të vazhdohet të ndihmohet nga shtetet evropiane, në luftën kundër Rusisë.

SHKARKO APP