Rusia dhe Irani kërkojnë të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane
Rusia dhe Irani janë identifikuar si aktorë përgjegjës për një sërë fushatash manipuluese në dëm të elektoratit amerikan.
Drejtori i Inteligjencës Amerikanë, Xhon Retklif, informoi se dy vendet kanë siguruar të dhëna personale të zgjedhësve, dhe këtë informacion po e përdorin për t’i shtyrë ata të votojnë njëri apo tjetrin kandidat për president.
Sipas Byrosë Federale të Hetimit, pala iraniane mendohet se po mban krahun e demokratit Xho Bajden duke shpërndarë sekuenca të ndryshme filmike dhe mesazhe elektronike kërcënuese që i udhëzojnë personat si të votojnë disa herë për kandidatin e preferuar ose pse e djathta është rrezik për vendin.
Ndërkohë Rusia po ndikon nëpërmjet fushatave të dizinformimit duke dalë si në vitin 2016, në favor të presidentit Donald Trump.
Kreu i shërbimit informativ kombëtar, Retklif, tha se nuk është e qartë se si Rusia dhe Irani kanë arritur të sigurojnë të dhënat e votuesve amerikanë, porse pjesërisht mendohet se të dhënat janë përvetësuar edhe nga Kina.
Më pak se 12 ditë nga zgjedhjet presidenciale, presidenti Trump vazhdon me tubimet masive me mbështetësit e tij në mesin e pandemisë.
Ai tha të mërkurën se votuesit këtë radhë do duhet të zgjedhin mes super-rimëkëmbjes ekonomike që ai ka premtuar ose depresionit të thellë ekonomik që ka për t’i shkaktuar vendit kundërshtarit i tij demokrat, Bajden.
Në krah të ish-zv.presidentit Bajden, ndërkaq, foli të martën ish-kryeshtetari amerikan, Barak Obama.
Obama i konsideroi zgjedhjet e 3 nëntorit më të rëndësishmet ne jetën e çdo amerikani, dhe se rezultati i tyre do përvijojë të ardhmen e brezave të tërë.
Sondazhet aktualisht favorizojnë pretendentin demokrat, Bajden, por Obama tha se ato nuk duhen besuar sikundër në vitin 2016, ndaj për të sjellë ndryshimin, secili amerikan duhet të dalë e të votojë konkretisht.
Në mbrëmje Trump dhe rivali i tij për president do përballen në debatin e dytë dhe të fundit presidencial me njëri-tjetrin.