“Rusia do të përballet me një çmim shumë të lartë dhe një izolim edhe më të madh”

“Thjesht është e papranueshme që në shekullin e 21 disa vende të përpiqen të rishkruajnë me forcë kufijtë e Evropës, apo të ndërhyjnë ushtarakisht pasi nuk u pëlqen vendimi i marrë nga fqinji i tyre”, deklaroi Biden në përfundim të takimit të tij me presidentin ukrainas Petro Podohenko, duke aluduar për aneksimin e Krimesë dhe të konfliktit të armatosur në lindjen separatiste pas rënies së regjimit prorus në Ukrainë.

“Rusia do të përballet me një çmim shumë të lartë dhe një izolim edhe më të madh”, paralajmëroi ai, duke përdorur një shprehje që administrata amerikane e përdor zakonisht për të folur për sanksionet. “Agresioni rus kërcënon sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës dhe përfaqëson një shkelje të hapur të parimit themelor të sistemit ndërkombëtar”, vazhdoi Biden.

“Nëse Rusia respekton angazhimet e saj, ne mund të zhvillojmë një bisedim të arsyeshëm mbi një heqje të mundshme të sanksioneve të vendosura, por në vend të kësaj kemi parë më shumë provokime dhe më shumë shkelje të dukshme të marrëveshjes”, përfundoi ai.

Kievi dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se mbështet ushtarakisht rebelët prorusë në lindje të Ukrainës ku konflikti i armatosur me forcat qeveritare ka bërë më shumë se 4 300 të vdekur që prej mesit të prillit.

SHKARKO APP