Rusia fillon kundërpërgjigjen, dëbon 60 diplomatë të SHBA-së
Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, Rusia i është përgjigjur në të njëjtën mënyrë Shteteve të Bashkuara, duke dëbuar 60 diplomatë amerikanë.
Një kundërpërgjigje kjo simetrike me vendimin e SHBA e cila nga ana e saj më herët dëboi një numër të lartë zyrtarësh rusë.
Gjithçka nisi pas helmimit me agjent kimik të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Salisbury të Britanisë.
Mbretëria e Bashkuar ishte e para që dëboi 23 diplomatë rusë, që u pasua me dëbime edhe nga SHBA dhe 23 vende të NATO-s apo BE-së.
Lajmin për dëbimin e diplomatëve amerikanë e dha vetë Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i cili tha se Moska do të përgjigjet ndaj dëbimeve të diplomatëve të saj nga vendet perëndimore.
“Masat do të jenë sipas reciprocitetit. Këto masa parashikojnë dëbimin e numrit të barabartë të diplomatëve siç ka ndodhur me diplomatët tanë në vendet perëndimore, si dhe përfshijnë vendimin për të tërhequr marrëveshjen tonë e cila lejonte konsullatën e Shteteve të Bashkuara të veprojë në Shën Petersburg”, theksoi ministri rus Lavrov.
Edhe Shqipëria dëboi dy diplomatë rusë dhe pritet që Moska të marrë të njëjtin vendim siç ka paralajmëruar.

