Rusia gati për trupa tokësore në Siri?
Rusia mund t’i vijë në ndihmë regjimit të Asadit me trupa tokësore. Me këtë hap Moska do t’i dominonte gjithnjë e më sumë zhvillimet në Siri. Shtetet perëndimore janë në dilemë.
Ky plan me sa duket nuk është pjesë e një plani afatshkurtër. Ministri i Jashtëm Al-Mualim deklaroi se kjo nuk është e nevojshme për momentin. Por në rast se gjendja ndryshon, Asadi do të kërkojë ndihmë tek Moska. Përgjigjja nga Kremlini: „Po qe se kemi një kërkesë të tillë, sigurisht që do ta diskutojmë, dhe verfikojmë në kuadër të kontakteve tona bilaterale“, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov për agjencinë e lajmeve, Ria Novosti. Por ka dyshime nëse Rusia ka ndonjë forcë goditëse ushtarake të madhe. Politologu Pavel Baev, eskpert ushtarak rus në Institutin e Studimeve të Paqes në Universitetin e Oslos thotë se është “i ekzagjeruar“ përfytyrimi për forcën ushtarake ruse.
Sukses diplomatik për qeverinë e Asadit
Megjithatë ka disa shkaqe që të bëjnë të mendosh se kërkesa për ndihmë ushtarake është thjesht një siguracion jete për qeverinë e Damaskut. Sepse edhe nëse efekti i ndihmës ruse nuk do të jetë i madh, thjesht bërja publike e kësaj ndihme eventuale është një sukses diplomatik për Asadin, edhe pse jo ushtarak.
Qeveria e Asadit vërtet që konsiderohet në Perëndim si një qeveri kriminele, që Perëndimi nuk do ta shohë më në pushtet. Por aktualisht po fiton terren gjithnjë e më shumë qendrimi se lufta në Siri mund të fitohet vetëm me Asadin dhe jo kundër tij. Këtë e bën të qartë edhe telefonata mes sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm rus. Sipas njoftimeve në këtë telefonatë u bë fjalë për mundësinë e luftës së përbashkët kundër Shtetit Islamik.
Kjo do të ishte realiste vetëm me një kusht: Asadi do të qendronte në pushtet, edhe sikur në mënyrë të përkohshme. Këtë qëndrim Rusia e mbron prej vitesh. Ndërsa shtetet perëndimore po lëvizin nga qendrimi i tyre, se Asadi duhet të largohet nga pushteti.
Kështu ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond deklaroi në fillim të kjavës së shkuar, se qeveria e tij është gati për „kompromise“ në çështjen e Sirisë. Këtë sinjal e dha edhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, kur theksoi se një veprim i përbashkët kundër Shtetit Islamik ka prioritet. „Kjo nuk do të ishte e mundur pa fuqi si Moska apo Irani, dhe në këtë kuptim kemi nevojë për një bashkëpunim pragmatik dhe një përfshirje të Asadit në luftë kundër terrorit të Shtetit Islamik“. Pra krimet e Asadit nuk duhen harruar, por në luftë kundër Shtetit Islamik, Asad dhe pPrëndimi qendrojnë në një front.
Rusia në kursin e një politike që i forcon pushtetin
Në fund të shtatorit presidenti rus, Vladimir Putin do të flasë para Kombeve të Bashkuara për pozicionimin e vendit të tij. Por që tani është e qartë se Rusia ka fituar kundrejt shteteve perëndimore me politikën e saj për Sirinë. Analisti ushtarak Aleksei Malashenko në një intervistë me “Times” thotë se Rusia do ta zgjerojë pushtetin e saj në politikën e jashtme. “Aktivitetet e Rusisë në dhe përreth Sirisë të thonë se ky vend është në gjendje të rikthehet në Lindjen e Mesme. Ndoshta jo si një superfuqi, por si një fuqi që ka gjasa të balancojë pushtetin e Perëndimit dhe SHBA-së në këtë rajon.”
Këtë qëllim Rusia e ka ndjekur me këmbëngulje. Ndryshe nga shtetet perëndimore. Pas shpërthimit të luftës ata as nuk arritën të krijonin një zonë të ndalimfluturimit, që mund të ishte një ndihmë për popullsinë civile, dhe as nuk u pozicionuan qartë në luftën e Sirisë. Sepse pavarësisht kundër kujt do të luftonin aty: Perëndimi ose do të qendronte në anën e Asadit, ose në anën e një grupi terrorist, si Shteti Islamik. Në një kohë që Shteti Islamik publikon me sukses në internet mizori si prerjet e kokës së pengjeve, qeveria e Asadit vepron drejtpërdrejt kundër popullsisë së vet. Bombat që hidhen në lagjet e banuara nuk gjejnë shumë jehonë në internet, prandaj edhe 250.000 deri në 300.000 viktimat e regjimit nuk janë në vëmendjen e opinionit botëror si viktimat e Shtetit Islamik.
Perëndimi i pafuqishëm
Terrori i Shtetit Islamik shkon në favor të Rusisë dhe qeverisë së Asadit. “Putini e dallon me sa duket se SHBA dhe Europa nuk mendojnë me entuziazëm për një ndryshim pushteti në Damask, por duan të përqendrohen tek Shteti Islamik”, thotë Ayham Kamel, drejtor i departamentit të Lindjes së Mesme në qendrën londineze të konsulencës, Eurasia Group. Putinin nuk e shqetësojnë me sa duket qindra mijëra viktimat e shkaktuara nga regjimi i Asadit, ai vazhdon ta mbështesë Damaskun. Perëndimi ka shqetësime të mëdha në këtë drejtim, por rezervat morale nuk janë reflektuar në politikën praktike të tij. Kështu politika për Sirinë po përcaktohet gjithnjë e më shumë nga aleati më i rëndësishëm i Rusisë, Irani. Perëndimi tani duket se vetëm po e ndjek këtë kurs.