Rusia mban paradën e fitores në Luftën e Dytë Botërore, prezent edhe Vuçiç

Rusia ka shënuar Ditën e Fitores me një paradë ushtarake, e cila do të mbahej në maj por u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Dita nderon kujtimin e dhjetëra milionë sovjetikëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rusia ka festuar 75-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik dhe kapitullimin e Gjermanisë naziste.

Me gjithë paralajmërimet për rrezikun e përhapjes së koronavirusit, një paradë ushtarake parakaloi të mërkurën në sheshin qendror të Moskës, me pjesëmarrjen e forcave të armatosura, veteranëve të luftës, të zyrtarëve të shtetit dhe të huaj, dhe kontingjenteve nga Serbia, Kina, Franca e më gjerë.

Dita e Fitores për rusët nderon kujtimin dhe heroizmin e 27 milionë sovjetikëve të vrarë në atë që njihet si Lufta e Madhe Patriotike.

Kremlini javën e kaluar fajësoi fuqitë e kohës, Britaninë, Francën dhe Italinë që nuk i morën parasysh vërejtjet sovjetike për agresionin nazist, duke u bërë palë madje me këta të fundit me marrëveshje si ajo e Mynihut në 1938-ën.

Duke folur për herë të 17-të para pjesëmarrësve me këtë rast, kreu i shtetit rus, Vladimir Putin, tha se Europa ia ka borxh lirinë ushtarëve sovjetikë të rënë në luftë.

Mesazhin e tij e ndoqi edhe një nga tre ish-ushtaraket gra që shërbyen në regjimetin ajror ish-sovjetik, tashmë në moshën 95-vjeçare.

“Ushtarët tanë mbrojtën tokën e tyre, çliruan shtetet europiane nga pushtuesit, shpëtuan popullin gjerman nga nazizmi dhe ideologjia e tij. Është e pamundur të imagjinosh çfarë do i ndodhte botës sikur Ushtria e Kuqe të mos ia kishte ndalur hapin fashizmit.”

Parada ushtarake e organizuar në Sheshin e Kuq të Moskës ishte planifikuar për datën 9 maj.

13 mijë trupa dhe më shumë se 300 automjete të armatosura dhe mjete fluturuese parakaluan para dhjetëra krerëve të shtetit dhe përfaqësuesve të lartë, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Kryeshtetari amerikan dhe një sërë personalitetesh të Europës e kishin anuluar ftesën më herët për shkak të situatës me pandeminë.

Parada e sivjetme vjen një javë para referendumit të rëndësishëm për ndryshimet kushtetuese që do i vendosë rusët, mes të tjerash, përpara alternativës për t’ia shtyrë presidentit Putin mandatin e udhëheqjes së shtetit deri më 2036-ën.

SHKARKO APP