Rusia mbështet Serbinë dhe përgjigjet ndaj akuzave: Jo luftë ndaj Kosovës
Edhe njëherë tjetër, Rusia mbështet Serbinë kundër Kosovës. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova, në një intervistë për versionin ballkanik të “Russia Today”, lëshoi sulmet e zakonshme në drejtim të udhëheqësve në Prishtinë. Ajo tha se veç Beogradi është treguar palë konstruktive dhe se dëshiron një zgjidhje kompromisi paqësore. U përgjigj edhe ndaj akuzave të Kosovës se Serbia, me shtysë nga Rusia, po kërkon luftë.
“Është një gënjeshtër, e cila ka për qëllim diskreditimin e Beogradit dhe largimin e vëmendjes nga spastrimi etnik që po bëhet në Kosovë dhe Metohi. Gjithashtu, është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga Kurti, sjellja e të cilit është bërë normaliteti i ri”,-tha Zakharova.
Sa i përket sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, zyrtarja ruse tha se nuk habitet që “populli serb po përpiqet të mbrojë veten”, pas atyre që i quajti “fjalë të tmerrshme të Kurtit në Bruksel, se serbët duhet të paguajnë dhe të vuajnë”.
Zakharova kritikoi KFOR-in dhe EULEX-in me pretendimin se këto forca paqeruajtëse në Kosovë asnjëherë nuk e kanë bërë punën siç duhet, ndërsa sulmoi edhe ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në dialog.