Rusia po paguan kostot e luftës së saj të spiunëve në Evropë

The Economist

Anatoliy Chepiga dhe Alexander Mishkin, u bënë të famshëm kur u shfaqën në televizionin shtetëror rus në shtatorin e vitit 2018, teksa këmbëngulnin se kishin qenë në qytetin anglez Salisbury më herët gjatë atij viti, jo për të vrarë Sergei Skripal, një ish-agjent rus i shërbimeve sekrete, por për të vizituar katedralen e famshme të qytetit.

Në fakt, të dy ata ishin agjentë veteranë të GRU, shërbimit sekret ushtarak rus. Dhe rezulton se Salisbury, nuk ishte aventura e tyre e parë jashtë Rusisë. Me sa duket 4 vjet më parë, ata ishin të përfshirë në hedhjen në erë të depove të municionit në Republikën Çeke.

Zbulimi i këtyre fakteve, është arsyeja kryesore i një krize tjetër në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit, dhe kjo në mesin e një grumbullimi të madh të ushtrisë ruse në kufijtë e Ukrainës, një raundi të ri sanksionesh nga ana e SHBA-së, dhe shëndetit të përkeqësuar të Alexei Navalny, udhëheqës i opozitës ruse, që ndodhet prej disa ditësh në një grevë urie në burg.

Më 17 prill kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis, deklaroi se kishte “prova të qarta”, se GRU ishte përfshirë në shpërthimin fatal që ndodhi në depot e municioneve në Vrbetice në lindje të vendit, në tetor dhe dhjetor të vitit 2014.

Në atë kohë, Emilian Gebrev, një tregtar bullgar i armëve, po blinte armë nga depoja për të furnizuar me to forcat urkainase, teksa në fillim të atij viti Rusia kishte pushtuar një pjesë të këtij vendi. Sipas policisë çeke, Chepiga dhe Mishkin ishin në Pragë deri më 11 tetor dhe u larguan nga vendi më 16 tetor 2014, pikërisht ditën e shpërthimit, pasi kishin rezervuar më parë një dhomë në një hotel në Vrbetice (qytet që nuk ka katedrale).

Ata përdorën të njëjtat pseudonime që do të përdornin 4 vjet më vonë në Angli, ose për shkak të neglizhencës, ose për shkak të shqetësimit se kontrollet biometrike në kufi, mund të zbulonin ndonjë mospërputhje midis fotove të vjetra dhe emrave të rinj në pasaporta.

Zbulimi i përfshirjes së Rusisë në këto ngjarje, ka ngjallur shumë zemërim në Republikën Çeke. Bohuslav Sobotka, kryeministri i vendit në kohën e incidentit, tha se nuk kishte qenë më herët i vetëdijshëm për rolin e Rusisë në atë ngjarje tragjike.

Në një intervistë për “Seznam Zpravy”, një portal lajmesh në Çeki, të botuar më 18 prill, ai e përshkroi atë si sulmin më të madh në tokën Çeke “që nga pushtimi sovjetik në vitin 1968”. Pasojat diplomatike ishin shumë të shpejta.

Babis njoftoi se  do të dëbonte 18 diplomatë, rusë të dyshuar si oficerë të inteligjencës, akt që e nxiti Rusinë të dëbonte në kundërpërgjigje 20 diplomatë çekë (duke mbyllur në thelb të gjitha misionet diplomatike çeke në Rusi).

Ministri i jashtëm çek, Jan Hamacek, deklaroi të hënën se do të donte që edhe aleatët të ndiqnin shembullin e Pragës në shenjë solidariteti. Po atë ditë, qeveria çeke tha se “Rosatom”, do të përjashtohej nga tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e një termocentralinë Dukovany.

Shpërthimi në Vrbetice, duket se ka qenë pjesë e një serie më të gjerë veprimesh të fshehta nga e Rusisë në të gjithë Evropën gjatë viteve të fundit. Bellingcat, një organizatë e gazetarëve investigativë, që zbuloi për herë të parë emrin e atentatorë të Salisbury-t, thotë se çifti i agjentëve rusë i përket një skuadre me 20 veta brenda Njësisë 29155 të GRU-së, që ka qenë e lidhur më herët me veprimtari subversive midis viteve 2014- 2017 në Krime, Moldavi, Mal të Zi dhe Zvicër.

I njëjti grup mendohet se ka tentuar vrasjen e Gebrev në Bullgari në vitin 2015. Shumë nga operatorët e tij rekrutohen nga radhët e Spetsnaz, forcave speciale ruse. “Këta djem kërkon GRU-ja kur synon të vrasë, helmojë apo hedhë në erë një person i caktuar”- thotë Mark Galeotti, ekspert i shërbimeve të inteligjencës ruse në University College London.

Galeotti thekson se pas konfliktit me Ukrainën në vitin 2014, Rusia adoptoi “mentalitetin e kohës së luftës”, duke drejtuar operacione agresive dhe me rrezik shumë të lartë, pa marrë parasysh pasojat. Për shembull, përdorimi i Novichok, një agjent nervor me origjinë sovjetike, për të helmuar Skripal në vitin 2018, sugjeroi se GRU-ja ishte më shumë e interesuar të dërgonte një mesazh, sesa të mbante një profil të ulët.

Megjithatë, edhe pasojat negative për Rusinë ka qenë të mëdha. Ekspozimi i dy agjentëve nuk është në vetvete një humbje e madhe. Por rrjetet e inteligjencës me baza në ambasadat ruse në Evropë, janë dëmtuar jo pak nga ky demaskim.

Në marsin e vitit 2018, më shumë se 20 vende të botës dëbuan oficerë të dyshuar të inteligjencës ruse, në shenjë solidariteti me Britaninë pas atentatit ndaj Skripal, duke përfshirë 60 dëbime zyrtarësh rusë vetëm nga Amerika. Më 15 prill, SHBA dëboi 10 diplomatë të tjerë, në përgjigje të një fushate në shkallë të gjerë të hakerave rusë (të ndërmarrë nga SVR, një tjetër agjenci ruse e inteligjencës).

Ndërkohë Polonia e ndoqi shembullin e SHBA-së me dëbimin e 3 diplomatëve rusë. Nga ana e saj më 17 prill, Rusia dëboi një diplomat ukrainas, duke e nxitur hakmarrjen e Ukrainës. Edhe pse agjencitë ruse të inteligjencës, do të jenë në gjendje të rivendosin praninë e tyre me kalimin e kohës, këto dëbime do të kenë shkaktuar dëmin e tyre.

Zbulimi i bazës agjenturore ruse në Pragë, është një goditje e veçantë, pasi ambasada atje përdoret si bazë për operacionet ruse në vendet e tjera të BE-së dhe NATO-s, vë në dukje European Values, një think-tank çek.

Dëbimet reciproke të Rusisë, ka të ngjarë të kenë një ndikim më të vogël tek agjencitë perëndimore të inteligjencës, pjesërisht pasi agjentët perëndimorë në Rusi, përballen me mbikëqyrje dhe kufizime më të forta se sa anasjelltas.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO-s, janë në pikën më të ulët historike. Një grumbullim i madh i trupave ruse pranë Ukrainës Lindore dhe Krimesë gjatë marsit dhe prillit, nuk po tregon asnjë shenjë të zbutjes të tensioneve, duke shkaktuar shqetësime në lidhje me një pushtim të mundshëm rus.

Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi të hënën se Rusia kishte përqendruar mbi 100.000 trupa në zonë. Rusia ka vazhduar ta shtojë presionin mbi Ukrainën ditët e fundit.

Më 16 prill, ajo njoftoi se do të mbyllte pjesët e Detit të Zi pranë Krimesë për anijet e huaja luftarake, si dhe “anijet e tjera shtetërore” nga 24 prilli deri më 31 tetor, duke ngritur shqetësime se mund të bllokojë trafikun përmes ngushticës Kerch në Detin Azov dhe portet ukrainase.

Kombinimi i tensioneve ushtarake, shëndeti i rënduar i Navalny-t, dhe zbulimi i aktiviteteve më të mëdha ruse në Perëndim, po krijojnë një gjendje shumë të tensionuar në të dyja kampet.

/Përktheu: Abcnews.al

SHKARKO APP