Rusia po synon të nxisë konflikt në rajon? Stoltenberg: S’ka kapacitet për destabilizim
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha nga Shkupi se nuk sheh ndonjë kërcënim ushtarak që vjen nga Rusia ndaj një vendi anëtar të NATO-s apo ndaj rajonit.
Ai u pyet nga gazetarët për deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se Rusia po synon të nxisë konflikt në rajon, ai tha se NATO nuk do ta lejojë kurrsesi që një gjë e tillë të ndodh, por do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë.
“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithsesi se jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, KFOR-in në Kosovë, shtabin e përgjithshëm në Sarajevë dhe zyrën në Beograd dhe jemi të përgatitur që të bëjmë gjithçka për të mbrojtur çdo aleat nga çfarëdo qoftë kërcënimi”, tha Stoltenberg.