Rusia “sfidon” Perëndimin, prodhon vaksinën anti-Covid: Efikasitet mbi 95%
Vaksina ruse “Sputnik V” ka një efikasitet ndaj Covid-19 mbi 95%. Këto janë të dhënat paraprake të marra nga vullnetarët, 42 ditë pas marrjes së dozës së parë.
Lajmin e bën të ditur instituti i kërkimit “Gamaleya” duke botuar raundin e dytë të analizës së ndërmjetme të eksperimentimit në vazhdim.
Vaksina do të kushtojë më pak se 10 dollarë për tregun ndërkombëtar (për të dyja dozat) dhe falas për qytetarët rusë, raporton Ora News.
Rusia është mes 5 vendeve më të prekura nga Covid-19 në botë me mbi 2 milionë infektime dhe mbi 37 mijë viktima.
Deri në fund të këtij viti bota do të ketë edhe 200 milionë vaksina të tjera të pasi rezultoi efikase ajo e zhvilluar nga Universiteti i Oxford dhe firma farmaceutike “AstraZeneca”.
Kjo vaksinë ka çmim më të lirë se ato të “Pfizer” dhe “Moderna”, e ndryshe nga të tjerat, mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike.
Kompania farmaceutike “AstraZeneca” tha të hënën se vaksina e saj kundër COVID-19 mund të jetë rreth 90 për qind efikase, duke i ofruar botës një armë në luftën kundër pandemisë.
Vaksina e kësaj kompanie pritet të ketë çmim të lirë dhe shpërndarja do të jetë më e thjeshtë.