Rusia transmeton pamje të rralla të amerikanit të burgosur Paul Whelan

Mediat shtetërore ruse kanë publikuar pamje filmike të amerikanit Paul Whelan në një burg në Rusi. Në lajmet e kanalit RT (Russia Today) u shfaqën pamje të ish-drejtuesit të kompanisë nga Miçigani në një burg të largët në Mordovia, në juglindje të Moskës. Në video, Whelan duket përkrah të burgosurve të tjerë ndërsa punon në një makinë qepëse me uniformat e burgut.

Administrata e Presidentit Biden pati shpresuar se do të siguronte lirimin e zotit Whelan gjatë negociatave që mundësuan lirimin nga burgjet ruse dhjetorin e kaluar të yllit të basketbollit amerikan Brittney Griner.

Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni i kishte paraqitur Moskës një “propozim serioz” për të mundësuar lirimin e zotit Whelan. Këtë muaj u njoftua se Sekretari i Shtetit Antony Blinken bisedoi me telefon me zotin Whelan.

Rusia vazhdon të mbajë nën arrest edhe shtetasin amerikan Evan Gershkovich, i cili punonte për gazetën Wall Street Journal. Ai akuzohet për aktivitet spiunazhi dhe mund të dënohet me deri në 20 vite burgim. /VOA/

SHKARKO APP