Rusja del ”spiune” në 30 shtete, shoqja: Në Shqipëri ka qenë 3 herë
Është me të vërtetë spiune apo fotografe, rusja që u kap në uzinën e armëve në Gramsh? Një tjetër mikeshë e Lana Sator, e cila akuzohet zyrtarisht nga prokuroria shqiptare si spiune e shërbimeve inteligjente të huaja, thotë se është shoqe udhëtimesh me rusen e burgosur.
Maria Passer rrëfen për ”Euronews Albania”, se në 2018 ka qenë në Shqipëri me ish-të dashurin e saj dhe Lana Sator, të cilët kanë qenë ne vende të braktisura në Shqipëri, nëpër bunkerë, në Tiranë, në Shkodër, Berat por edhe në një zonë të braktisur ushtarake në jug të Shqipërisë.
”Kemi qenë në një zonë në jug të Shqipërisë, ishte komplet e braktisur, mund të hyje fare lehtë aty, gjetëm një vrimë të madhe tek hyrja dhe u futëm brenda. Ishte në jug të Shqipërisë (Porto Palermo). Ne nuk ishim të vetmit që kishim hyrë aty”.
Mikesha e saj tregon se Lana është e pasionuar pas vendeve ish-komuniste, ndërkohë që tregon se rusja e arrestuar ka qenë në mbi 30 vende të botës.
“Ajo më shkroi që do të shkonte në Shqipëri, kishte planifikuar të qëndronte një javë aty, thjesht i urova ta shijonte udhëtimin. Është tipike për Lanën të udhëtojë, ajo ka vizituar më tepër se 30 vende. Di që ka qëndruar për gjysmë viti në Gjeorgji, mendoj që thjesht ka ardhur për të eksploruar”.