Rutte: Plani i SHBA-së për Ukrainën premton, por ka pika të pazgjidhura
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për kujdes ndaj pritshmërive në lidhje me propozimin amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar se plani ende kërkon negociata më të thelluara.
Në një intervistë për grupin mediatik RND dhe gazetën spanjolle “El País”, e publikuar sot, Rutte u shpreh se dokumenti i rishikuar së bashku nga SHBA dhe Ukraina përmban elementë premtues, por edhe çështje të pazgjidhura që kërkojnë raunde të mëtejshme diplomacie.
Sipas njoftimeve zyrtare, Ukraina ka rënë dakord dje me pikat kryesore të planit të paqes të propozuar nga SHBA, ndërsa Uashingtoni thotë se vetëm disa pika mbeten ende në debat. Presidenti amerikan Donald J. Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të takohen më vonë gjatë nëntorit për t’i dhënë goditjen përfundimtare dialogut.
Javën që shkoi, SHBA publikoi një plan me 28 pika, i cili është përballur me kritika në Evropë dhe në Kiev, ku zyrtarë shprehen shqetësime se ai mund të pasqyronte interesat ruse. Negociatorë nga SHBA-ja, Ukraina dhe vende europiane u takuan në Gjenevë për të rishikuar dokumentin një proces që Rutte e përshkroi si “produktiv”, por vetëm si një hap fillestar drejt bisedimeve më të strukturuara.
Rutte shtoi se Rusia ka pësuar humbje të mëdha njerëzore rreth 20 000 ushtarë çdo muaj ndërkohë që ka fituar shumë pak territor: “Që nga fillimi i pushtimit, rreth një milion trupa ruse janë vrarë ose plagosur rëndë,” tha ai, duke vënë në dukje se Moska ka shtuar vetëm rreth 1.0% të territorit të Ukrainës këtë vit me avantime të ngadalta, vetëm disa metra në ditë.
KOHA JONË SONDAZH

