Samaras, paralajmëron qeveri me gjithë partitë proeuropiane
Nga Kujtim Vani*
“Politika e SYRIZA-s do të zhdukë klasën e mesme”, -thekson kryeministri Antonis Samaras në intervistë për gazetën “Ta Nea” të shtunën dhe deklarohet kategorikisht kundër një konference europiane për borxhin, duke vlerësuar se kjo “do t’i komplikonte gjërat për Greqinë”. Siç nënvizon, objektivi i tij është krijimi i një qeverie me gjithë forcat proeuropiane. Mbi këtë bazë, ftesa i drejtohet edhe Jorgos Papandreut, përderisa ky i fundit arrin të futet në Parlament. Kryeministri e konsideron të sigurt fitoren e Demokracisë së Re në zgjedhjet e 25 janarit dhe thekson se kjo do të shënojë përfundimin e memorandumit deri në fund të muajit shkurt. Samaras hedh poshtë sërish çdo mundësi ballafaqimi televiziv me Aleksis Cipras. Kryeministri thotë se ambicia e tij për qeverinë e ardhshme është një kabinet me pak anëtarë, që presupozon ndërhyrje të mëdha në shtet që ende nuk janë plotësuar. Ndërkaq, me një artikull në gazetën e përjavshme “Agora”, Samaras paralajmëron një ule të re të taksës unike mbi pasurinë e patundshme (ENFIA), “ashtu siç kemi ulur gradualisht dy herë deri më tani taksën e pasurisë së patundshme për më të shumtët”. Samaras paralajmëron gjithashtu ulje graduale të taksës së fitimit për biznesin, në 15% nga 25% që është sot. Nga buxheti që do të votojmë në 2015, taksa do të ulet 3% për vitin e parë dhe nga 4% tre vitet e ardhshme, thekson kryeministri. Ndërkohë shefi i opozitës Aleksis Cipras, gjatë një interviste në televizionin Skai, angazhohet për suprimimin e taksës unike mbi pasurinë e patundshme (ENFIA) dhe zëvendësimin me një taksë të re. Kryetari i SYRIZA-s vlerësoi se populli grek do të përzgjedhë me kriter stabilitetin dhe për këtë arsye shprehu sigurinë se SYRIZA do të fitojë maxhorancën qeveritare. Cipras tha se boshllëku që do të rezultojë në të ardhurat do të mbulohet nga një sistem tatimor më i drejtë, ndërsa do të mbrohen pronarët e banesës së parë. Kryetari i SYRIZA-s tha se këstet e ENFIA-s duhen paguar, pasi qeveria e SYRiZA-s është angazhuar se do ta heqë ENFIA-n në vitin 2015 dhe nuk mund të miratojë ligje me vlefshmëri retrospektive. Cipras tha se SYRIZA do të vendosë taksën mbi pasurinë e madhe të patundshme, dhe theksoi se shpresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme jo vetëm që nuk do të rëndohen, por edhe do të kenë lehtësime.
Korrespodent i “Koha Jonë”, Athinë
KOHA JONË SONDAZH

