Samaras: Qeveria na fut sërish në memorandum
“Për sa kohë vazhdon pasiguria, fatura për popullin grek rritet. Sepse deri tani nuk është vetëm se luanin teatër, por më e rëndësishmja, humbën kohë”, thekson kryetari i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, në intervistë për të përjavshmen “Agora”. Sipas tij, qeveria nuk pati kurrë program. Samaras e cilëson “populizëm” faktin që sipas tij qeveria “premton gjithçka për gjithkënd” dhe parashikon se qeveria e re do ta shpjetë vendin në kreditim, domethënë në memorandum, “të paktën edhe për vitin tjetër”, pasi “po të nxjerrim suficit primar më të vogël, do të thotë se një pjesë e kamatave nuk do të mund ta mbulojmë ne”. Samaras shpreh urimin që “të jetë mbyllur çështja e referendumit apo të zgjedhjeve të parakohshme”, mirëpo, siç thotë “”këtë e mbajnë në skenë çdo ditë kuadro të qeverisë. Dhe kjo i shton pasiguri ekonomisë dhe asfiksi tregut”. Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me propozimin për krijimin e komisionit hetimor se si vendi u vendos nën memorandumin, thekson: “Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Përkundrazi, kemi shumë për të thënë”. Lidhur me zhvillimet në partinë e tij, Samaras përsërit se “askush nuk ka shtruar çështjen e udhëheqjes në Demokracinë e Re”. “Diskutimi për kongresin e jashtëzakonshëm u bë dhe mbaroi… Nëse në këto momente ne shkonim në kongres të jashtëzakonshëm, kjo do të ishte një dhuratë unikale dhe e papandehur për SYRIZA-n”. Në një shprehje autokritike, Samaras vëren se “megjithëse bëmë gjëra që ishin të paimagjinueshme në Greqi, nuk treguam profilin reformator të partisë tonë, aq sa do të donim dhe aq sa do të duhej”.