Sanchez kërkon rizgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme
Qeveria spanjolle do të kërkojë një zgjatje përfundimtare me 4 javë të gjendjes së jashtëzakonshme. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Pedro Sanchez, përmes një konferencë shtypi të mbajtur të shtunën, teksa bilanci ditor i vdekjeve nga koronavirusi arriti minimumin pas 8 javë rresht.
Që nga vendosja për herë të parë të gjendjes së jashtëzakonshme më 14 mars, Spanja e ka vënë epideminë në kufijtë e saj nën kontroll, por autoritetet thonë se kufizimet do të mbeten pak më gjatë edhe pse vendi ka hyrë në fazat e lehtësimit.
Sanchez siguroi se kjo është mënyra e duhur dhe e vetme dhe nënvizoi se nëse Spanja nuk do të kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme dhe mos e kishte zgjatur atë disa herë, epidemia do të ishte përhapur më shumë dhe do të kishte vrarë rreth 300 mijë persona.
”Qeveria spanjolle do t’i kërkojë edhe njëherë parlamentit një zgjatje të re të gjendjes së jashtëzakonshme edhe pse karakteristikat e saj do të jenë shumë ndryshe nga rastet e mëparshme, pasi situata në Spanjë ka ndryshuar. Ajo planifikohet të jetë hera e fundit dhe do të zgjasë deri në përfundim të fazave të lehtësimit të masasve. Rrjedhimisht, do të jetë një muaj dhe jo 15 ditë”.