Sanders fiton primaret në New Hampshire
Senatori Bërni Sendërs është shpallur fituesi i garës primare mes kandidatëve demokratë për presidentë në shtetin e Nju-Hampshërit. Sendërs po shihet gjithnjë e më shumë si favoriti në rivalitetin për presidencën kundrejt republikanit Donald Trump.
Demokrati Bërni Sendërs ka fituar garën e parë si kandidat për president në shtetin amerikan të Nju-Hampshërit.
Senatori 78-vjeçar mposhti rivalin tjetër demokrat, Pit Butixhexh, me më pak se 2 për qind të votave, duke këmbyer vendin e parë pas humbjes së javës së kaluar në Ajëua.
“Më lejoni të them se fitorja jonë sonte shënon fillimin e fundit të Donald Trump-it. Kjo lëvizje politike e paprecedentë e shumë brezave dhe racave, synon transformimin e këtij vendi, për t’u përballur me kurajë me Uoll-Stritin, me kompanitë e sigurimeve, të ilaçeve, me industrinë hidrokarbure dhe atë ushtarake,” theksoi Sandërs.
Gara e së martës rezultoi një tjetër disfatë për kandidatin dhe ish-zëvendëspresidentin Xho Bajdën i cili u rendit jo më lart se vendi i pestë, pas kolegeve Emi Kloubëshar dhe Elizabet Uorën.
Me rezultatin e fundit, fituesi Sendërs ka garantuar në total 21 nga rreth 2 mijë delegatët që në konventën e Partisë Demokratike në korrik do të zgjedhin kandidatin final për të garuar kundër presidentit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Vetë presidenti në garën e së martës fitoi afro 85 për qind të votave kundrejt sfidantit tjetër partiak, ish-guvernatorit Bill Uelld.
Fushatat për marrjen e nonimimit gjatë javëve të ardhshme do të zhvendosen në shtetet e Nevadës dhe Karolinës së Jugut ndërsa më 3 mars pritet një nga betejat më të rëndësishme kombëtare.