Senati i “pret krahët” Trump: S`ka luftë me Iranin!

Senati amerikan miratoi një masë legjislative dypartiake, e cila kufizon kompetencat e Presidentit Donald Trump për të zhvilluar luftë kundër Iranit.

Sipas masës legjislative, të hartuar nga senatori demokrat Tim Kaine, Presidenti duhet të marrë miratimin e Kongresit, përpara se të angazhohet në veprime të mëtejshme ushtarake kundër Iranit. Tetë republikanë iu bashkuan demokratëve për të miratuar rezolutën e cila mori 55 vota pro dhe 45 kundër.

Duke iu përgjigjur argumentimit të disa prej mbështetësve të zotit Trump dhe vetë presidentit se masa do t’i dërgonte një sinjal dobësie Iranit dhe kundërshtarëve të tjerë të mundshëm, Kaine tha se “e kundërta është e vërtetë”.

“Kur ne jemi të vendosur për sundimin e ligjit në një botë që ka uri për këtë gjë, ky vendim është thelbësor. Ne kemi rregulla që duhet të ndjekim në mënyrë që të marrim një vendim të mirë dhe ky është një mesazh force”, tha Kaine. Senatori republikan Mike Lee ra dakord me komentet e tij.

Presidenti Trump e ka kundërshtuar masën legjislative, duke argumentuar në dy postime në Twitter të mërkurën se “një votim kundër propozimit të Tim Kaine ishte i rëndësishëm për sigurinë kombëtare”.

Masa legjislative pason vendimin e presidentit për të sulmuar e vrarë një komandant të lartë ushtarak iranian, që rriti shqetësimet për një konflikt në rajon nisur nga kundërpërgjigjja e Teheranit, me një sulm me raketa ndaj bazave amerikane në Irak. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” Presidenti Trump ka bërë të ditur se do të vendosë veton ndaj projekligjit të miratuar në Senat.

SHKARKO APP