Shatërvani i Trevit me pagesë, Roma vendos tarifë 2 euro për vizitorët
Administrata e qytetit të Romës ka vendosur një tarifë hyrjeje prej dy eurosh për ata që duan të afrohen deri tek bordura e shatërvanit. Kjo masë synon të rregullojë fluksin e vizitorëve dhe të mbrojë këtë monument.
Dhjetëra mijëra vetë vizitojnë çdo ditë Shatërvanin e Trevit për të bërë fotografi ose për të hedhur një monedhë në ujë. Por duke filluar nga 2 shkurti hyrja në zonën direkt pranë bordurës së shatërvanit të famshëm në Itali do të kushtojë dy euro. Kurse sheshi i madh përpara shatërvanit do të vazhdojë të jetë i lirë për t’u vizituar.
Sipas autoriteteve të qytetit të Romës sistemi i ri synon të menaxhojë më mirë fluksin e vizitorëve në një nga atraksionet turistike më të njohura të kryeqytetit italian dhe të parandalojë tejmbushjen e zonës nga turistët. Administrata e qytetit deklaroi se përmes kësaj tarife synon “t’i kundërvihet tejmbushjes së zonës, të përmirësojë përvojen e vizitorëve dhe të mbrojë një nga monumentet më të dashura të qytetit”.
Nga kjo masë, e cila zbatohet për herë të parë, janë të përjashtuar banorët e Romës si dhe personat me aftësi të kufizuara dhe personat që i shoqërojnë, si dhe fëmijët nën gjashtë vjeç.
Tejmbushje nga turistët
Administrata e qytetit të Romës e kishte kufizuar numrin e vizitorëve të Shatërvanit të Trevi që rreth para një vit. Rreth shtërvatit lejohen të jenë njëkohësisht jo më shumë se 400 vetë.
Sipas të dhënave vitin e kaluar Shatërvanin e Trevit e vizituan më shumë se dhjetë milionë vizitorë. Në ditët e pikut kjo shifër shkonte deri në 70,000 vetë.
Tradita e vizitorëve të Romës për të hedhur një monedhë duke shprehur një dëshirë nisi nga viti 1954 frymëzuar nga filmi “Three Coins in the Fountain”./DW
KOHA JONË SONDAZH

