SHBA, arrestimet dhe frikësimet ndikuan në rënien e lirisë së shtypit
Ngacmimet, arrestimet, rënia e besimit dhe kufizimet si rezultat i problemeve ekonomike e bëjnë të vështirë punën e gazetarëve në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo Smit, mediat amerikane punojnë kryesisht pa ndërhyrje, por Shtetet e Bashkuara megjithatë kanë rënë me 10 pikë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit në vitin 2024.
Disa gazetarë në Shtetet e Bashkuara janë arrestuar ose kërcënuar gjatë mbulimit të protestave kundër luftës Izrael-Hamas. Incidente të tilla, thonë ekspertët, kanë një ndikim negativ.
“Nëse mbulon një protestë dhe arrestohesh dhe ndoshta lëndohesh, do të mendosh dy herë nëse do të shkosh sërish herën tjetër kur mendon se ka rrezik që do të mund të kalosh natën në burg”, thotë Clayton Weimers, Drejtor Ekzekutiv i zyrës së Reporterëve pa Kufij në SHBA.
Numri i shkeljeve të lirisë së shtypit ka rënë vitet e fundit, por incidente si bastisja e një redaksie në Kansas, arrestimet dhe kërkesat nga gjykatat që gazetarët të dorëzojnë dokumentet që zotërojnë, kanë ndikuar në rënien në Indeksin Botëror të lirisë së shtypit.
Një faktor tjetër, thonë Reporterët pa Kufij, është gjuha e ashpër e disa udhëheqësve politikë.
Zyrtarët duhet të mbështesin median si pjesë e rëndësishme e demokracisë, thotë presidentja e Klubit Kombëtar të Shtypit Emily Wilkins.
“Ju bëj thirrje udhëheqësve tanë që të jenë të guximshëm dhe të thonë të vërtetën për median dhe rolin që ajo luan në demokraci. Ata duhet ta kuptojnë se çdo herë që sulmojnë gazetarët dhe median në tërësi, kjo është një goditje kundër demokracisë dhe dobëson vendin tonë”, thotë zonja Wilkins.
Faktorë tjerë që ndikojnë në ashpërsimin e mjedisit mediatik janë çështjet ekonomike. Analistët thonë se për shkak se kanë mbetur pak gazetarë, disa çështje mbulohen pak, ose aspak nga gazetarët.
Gazetarja e gazetës ‘Plain Dealer’ në Klivland, Sabrina Eaton, thotë se ajo është një nga të vetmet gazetare që mbulon Kongresin për audiencën në Ohajo.
“Nga ne pritet të informojmë për atë që po ndodh. Nëse askush nuk është në terren për t’i njoftuar njerëzit se çfarë po bëjnë ligjvënësit, mendoj se kjo është një tragjedi”, thotë zonja Eaton.
Duke vënë theksin te dezinformimi në nivele të larta dhe mosbesimin ndaj mediave, zoti Weimers thotë se gazetarët kanë një përgjegjësi të madhe.
“Ne jemi të prirur ta kuptojmë lirinë e shtypit si një të drejtë për gazetarët, por aty përfshihen edhe detyrimet që kanë vetë gazetarët. Ata kanë detyrimin etik të mbulojnë çështjet në mënyrë të drejtë, të jenë transparentë dhe të mbajnë përgjegjësi kur bëjnë gabime”, thotë zoti Weimers nga Reporterët pa Kufij.
Por jo gjithçka është përkeqësuar, thonë Reporterët Pa Kufij. Nëse miratohet një projekt-ligj i ri për shtypin, i cili ka mbështetje dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, ai do të ofrojë mbrojtje më të madhe për gazetarët dhe burimet e tyre nga kërkesat e qeverisë për qasje në të dhënat e gazetarëve.
Zëri i Amerikës