SHBA: Avioni që u rrëzua në lindje të Sirisë nuk është goditur nga IS

Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklarojnë se avioni luftarak i cili u rrëzua dje në lindje të Sirisë, nuk është goditur nga raketat e militantëve të Shtetit Islamik, duke hedhur poshtë pretendimet e ekstremistëve.

Avioni u rrëzua në provincën e Rakas, territor i kontrolluar nga Shteti Islamik, dhe piloti është marrë peng. Autoritetet amerikane nuk kanë specifikuar shkakun e rrëzimit të avionit, duke deklaruar se kanë prova që tregojnë qartë se avioni nuk është qëlluar.

Militantët islamikë kanë publikuar foto të pilotit gjatë momentit të kapjes peng në rrjetet sociale. Imazhet tregojnë pilotin e tronditur dhe mediat deklarojnë se ai është një oficer jordanez me emrin Moaz Youssef Al-Kasasba, 26 vjec. Edhe autorietet jordaneze konfirmuan rrëzimin dhe marrjen peng të pilotit, por nuk dhënë detaje për identitetin e tij.

Avioni luftarak F-16 i koalicionit kundër ISIS është i pari i rrëzuar në territoret e kontrolluara nga militantët e Shtetit Islamik që prej fillimit të sulmeve ajrore në muajin shtator.

Forcat ajrore të Jordanisë, SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, dhe Bahrein kanë kryer qindra sulme ajrore në Siri në tre muajt e fundit. Shumë nga objektivat e sulmeve kanë qenë në Raqqa, i cili është de facto kryeqyteti “kalifatit”, krijimi i të cilit u shpall në qershor.

Beteja mes koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetit Islamik deri pak më parë ishte e fokusuar në qytetin kufitar mes Turqisë dhe Sirisë dhe Kobani, në të cilin tashmë situatën e kanë në dorë forcat Peshmerga të Irakut.

SHKARKO APP