SHBA dhe BE izolojnë Lukashenkon e Bjellorusisë, Pompeo: Po koordinohemi për sanksione
SHBA i është bashkuar BE për të vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë së qeverisur nga Alexander Lukashenko dhe zyrtarëve të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 9 gushtit si dhe dhunës e arrestimit të protestuesve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka bërë me dije se Uashingtoni zyrtar po koordinohet me partnerët europianë për të vendosur masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve bjellorusë që janë tashmë shkaktarët e tensioneve që kanë përfshirë Minskun.
Po ashtu mësohet nga mediat ndërkombëtare se edhe Kanadaja dhe Britania do i bashkohen këtyre sanksioneve, ndërsa të parat që kanë ndëshkuar Lukashenkon dhe 29 zyrtarë të tjerë me ndalim hyrjeje, janë 3 vendet baltike, Estonia, Lituania dhe Letonia.
Nga ana tjetër Presidenti Lukashenko duket se nuk është frikësuar nga këto sanksione, duke patur edhe mbështetjen tashmë të Rusisë. Ai ka paralajmëruar se Bjellorusia do të përgjigjet me bllokim të rrugëve tregtare në rast se BE vendos sanksione, si dhe do të devijojë eksportet bjelloruse.
Ai refuzon dialogun teksa ka hedhur tezën e një reforme të mundshme kushtetuese. Kryetarja e opozitës ka refuzuar ndërkohë ndihmën e ndërkombëtarëve, teksa kërkon që çështjen ta zgjidhë vetë Bjellorusia.