SHBA do të hetojë vendimet e Trump për konfiskim të komunikimeve të demokratëve
Departamenti amerikan i Drejtësisë do të hetojë përpjekjet e vetë Departamentit për të konfiskuar disa komunikime të demokratëve në Kongres, gjatë udhëheqjes së ish-presidentit Donald Trump.
Ky hap, i bërë i ditur më 11 qershor nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm, ka ardhur pas raportimeve se zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë kanë konfiskuar të dhëna më 2018 nga dy ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe të një pjese të stafit dhe familjeve të tyre.
Ky sigurim i të dhënave ka qenë përpjekje e administratës Trump për të kuptuar se kush ka qenë duke nxjerrë informacion të klasifikuar dhe jopublik, të lidhur me hetimet për Rusinë, dhe çështje tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Departamenti i Drejtësisë heton në vazhdimësi për mënyra të tilla të rrjedhjes së informacionit, mirëpo një hetim i tillë që shënjestron Kongresin është jashtëzakonisht i rrallë.
Deri më tani nuk ka shenja se Departamenti i Drejtësisë ka përdorur të dhënat e siguruara për të gjykuar dikë.
Demokratët e Kongresit i kanë konsideruar këto pretendime shokuese, derisa demokratët e Senatit kanë bërë thirrje që dy avokatët e Trumpit të dëshmojnë.
Departamenti i Drejtësisë është thënë se ka siguruar atëbotë incizime të thirrjeve telefonike, mesazhe dhe vendndodhjen e këtyre personave, mirëpo jo edhe të dhëna tjera nga telefonat siç janë fotografitë apo email.
Ky lajm vjen pas atij të javës së kaluar, në të cilin është thënë se Departamenti amerikan i Drejtësisë ka siguruar në mënyrë sekrete incizimet e reporterëve të gazetave The New York Times, The Washington Post, dhe CNN. /REL/