SHBA/ FBI-ja paralajmëron trazira
FBI-ja amerikane paralajmëron mundësinë e një jave të dhunshme protestash përpara inaugurimit të presidentit, Joe Biden, më 20 janar.
Sipas Byrosë Federale të Hetimit, nuk përjashtohet skenari i turmave të armatosura në të 50-a shtetet e SHBA-së apo para godinës së Kongresit.
Grupe simpatizantësh të presidentit Donald Trump druhet se mund të pushtojnë institucionet shtetërore dhe lokale nëse ai do detyrohet ta lërë detyrën para kohe.
Autoritetet thonë se kanë marrë masat që të mos përsëritet revolta e 6 janarit në Kapitol, atje ku presidenti i zgjedhur Biden, dhe zëvendësja e tij, Kamala Harris, pritet të bëjnë betimin.
“Personalisht nuk kam frikë ta bëj betimin edhe jashtë, por mendoj se fokusi kryesor duhet të vendoset te mbajtja e përgjegjësive nga personat që u angazhuan në atë rebelim, që kërcënuan jetën e njerëzve, që prishën pronën publike,” deklaroi demokrati Biden.
78-vjeçari të martën mori dozën e dytë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa Dhoma e Ligjvënësve në Kongres propozoi që rivali i tij, Donald Trump, të shkarkohet nga detyra.
Biden tha se adresimi i situatës me pandeminë është ndër prioritetet e tij, dhe shpreson që procedimi penal që po nis ndaj Trumpit nuk do e pengojë axhendën e tij.
“Nëse ligjvënësit e votojnë propozimin për procedim dhe ia dërgojnë atë Senatit, do të ishte mirë të ndaheshin prioritetet. Gjysma e ditës mund t’i kushtohej procedimit dhe gjysma tjetër, nominimit dhe konfirmimit të qeverisë time nga Senati, që të kemi edhe paketën stimuluese.”
Të hënën, presidenti Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme deri më 24 janar, për të evituar skenarin e një periudhe dhune përpara dhe pasi Biden të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.