SHBA, fillon vaksinimi për mbrojtjen nga koronavirusi

Në Nju Jork këtë të hënë është bërë dhe vaksina e parë kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, një zhvillim që shënon një kthesë kritike në përpjekjet për të kontrolluar virusin vdekjeprurës.

Vaksinën e parë të kompanisë Pfizer në bashkëpunim me BioNTech e mori Sandra Lindsey, punonjëse e kujdesit shëndetësor në vijën e parë të frontit në luftën kundër virusit.

Mediat vendase bëjnë me dije se Lindsay është infermiere e njësisë së terapisë intensive në Qendrën Mjekësore Hebraike në zonën Long Island, të Nju Jorkut që ishte epiqendër e hershme e shpërthimit të COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.

Vaksinimi u përshëndet me duartrokitje në një transmetim të drejtpërdrejtë, ku ishte i pranishëm virtualisht Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.

“Nuk ndjej ndonjë gjë ndryshe nga marrja e një vaksine tjetër,” tha Lindsay. “Ndjehem me shpresë sot, e lehtësuar. Më duket sikur ka filluar shërimi. Shpresoj që kjo të shënojë fillimin e fundit të një kohe shumë të dhimbshme në historinë tonë. Dua që t’i përçoj bindjen publikut se vaksina është e sigurt.”

Ndërkohë presidenti në detyrë Donald Trump ka përshëndetur nisjen e vaksinimit anti Covid.

“Vaksina e Parë . Urime SHBA! Urime BOTË!”, shkruan Trump.

Northëell Health, sistemi më i madh shëndetësor në Neë York, administron disa nga spitalet e përzgjedhura në Shtetet e Bashkuara që do të japin vaksinat e para të hënën. Vaksina, e zhvilluar nga kompania Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech, mori miratimin për përdorim emergjent nga rregullatorët federalë të premten pasi u provua të ishte 95% efektive në parandalimin e sëmundjes gjatë provave klinike.

Ndërkohë 2.9 milion dozat e para filluan të transportoheshin në qendrat e shpërndarjes përreth vendit të dielën, vetëm 11 muaj pasi Shtetet e Bashkuara dokumentuan infeksionet e tyre të para me COVID-19.

SHKARKO APP