SHBA: Greqia të bashkëpunojë me BE
Nga Kujtim Vani*
Qeveria greke i ruan në mënyrë konstante tezat e veta dhe planizimin në negociimin me kreditorët, duke theksuar se qëllim primar është marrëveshja në një program-urë, që do të garantojë nevojat financiare të sektorit publik deri në hartimin e marrëveshjes përfundimtare me partnerët europianë dhe në vazhdim do të paraqiten propozimet përfundimtare greke. Këto propozime përfundimtare do të përmbajnë një kuadër të ri strategjie fiskale, që do të artikulojë objektivat e qeverisë për financat publike në 3-4 vitet e ardhshme dhe mbi të cilat do të bazohen buxhetet e katervjeçarit të ardhshëm. Gjithashtu qeveria do të paraqesë një plan kombëtar reformash, i cili, veç të tjerash do të përmbajë edhe masa që nuk guxuan të zbatojnë qeveritë e mëparshme. Theks i veçantë do t’i kushtohet luftimit të evazionit fiskal, korrupsionit dhe reformave në sektorin publik, që do të mbrojnë një marrëdhënie të re midis shtetit dhe ekonomisë dhe shtetit e shoqërisë. Pozicion qendror i qeverisë greke është se kushti më bazik që do të përfshihet në programin-urë, është se asnjera nga palët nuk do të avancojë në akte të njëanshme. Më tej, nisur nga fakti se Greqia nuk kërkon këstet e mbetura të programit aktual – përtej 1,9 miliardë eurove që duhet të kthejë Banka Qendrore Europiane nga posedimi i bondeve greke- konsiderohet e domnosdoshme të jepet mundësia e emetimit të letrave me vlerë përtej limitit të 15 miliardëve, me qëllim që të mbulohen nevoja emergjente eventuale. Sipas burimeve qeveritare, Athina konsideron se që të arrijmë në rezultate të suksesshme për të dy palët, do të duhet të jepet kohë për negociatat. Ndërkohë më 11 shkurt do të mbahet në Bruksel një takim jashtë radhe, ku tema kryesore që do të diskutohet do të jetë ajo e Greqisë, sipas burimeve të eurozonës. Edhe presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, konfirmoi me një publikim në rrjetin e vet në Twitter, se do të ketë një takim të jashtëzakonshëm të Eurogrupit, më 11 shkurt, në Bruksel. Përndryshe, një zyrtar i eurozonës tha se takimi i Euro Working Group, të enjten, nuk konkludoi me konvergim mendimesh, duke theksuar ndërkaq se gjithmonë ekziston mundësia që kjo të arrihet. Siç deklaroi i njëjti burim, është diçka që e kemi për detyrë, për interesin e të gjithëve, edhe për Greqinë, dhe duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim.
Edhe SHBA rekomandon Qeverinë e re greke të bashkëpunojë me partnerët europianë dhe me FMN. Rëndësisë së bashkëpunimit të Greqisë me partnerët europianë dhe me FMN, i është referuar ambasadori i SHBA në Athinë, David Pearce, në takimet me kryeministrin Aleksis Cipras dhe ministra të qeverisë së re. “Shtetet e Bashkuara besojnë se është shumë e rëndësishme që qeveria greke të bashkëpunojë me partnerët europianë si edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, theksoi ambasadori Pearce, sipas një njoftimi për shtyp të Amabasadës së SHBA në Athinë. Sipas njoftimit, zoti Pearce përsëriti se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta shohin Greqinë të dalë nga kriza e zgjatur dhe të vazhdojë të luajë një rol stabilizues në rajon. Gjatë takimeve të tij, Pearce “diskutoi çështje të rëndësishme dypalëshe dhe rajonale me zyrtarët grekë. Ai nënvizoi sakrificat e mëdha që janë bërë nga populli grek, duke theksuar njëkohësisht pozicionin e Shteteve të bashkuara se Greqia duhet të vazhdojë reformat strukturore dhe administrative dhe të ushtrojë një politikë korrekte fiskale. Sipas mendimit të Shteteve të Bashkuara, Greqia duhet të realizojë reforma që ta bëjnë më atraktive për investime të huaja, me qëllim që vendi që mundet të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe t’i rikthehet prosperitetit”, theksohet në njoftimin e ambasadës amerikane në Athinë.
KOHA JONË SONDAZH

